Afganistani – i gjithë pushteti talibanëve?

Talibanët radikalë islamistë prezantuan qeverinë e re të përkohshme. Askush tjetër veç tyre nuk ka poste në këtë qeveri. Por totalitarizmi i tyre nuk ka për të sjellë paqen në vend, shkruan Sandra Petersmann.

Afganistani që tani është një emirat represiv islamik. Mjafton për këtë një emër, ministri i Brendshëm i emëruar, Sirajudin Hakani qëndron që nga viti 2007 në listën e terrorit të Kombeve të Bashkuara. FBI ka vendosur 10 milionë dollarë para për kokën e tij. Sirajudin Hakani konsiderohet i afërt me Al-Kaidën dhe bëhet përgjegjës për planifkimin e shumë atentateve terroriste vetëvrasëse në Kabul, ndër to edhe sulmin ndaj ambasadës gjermane në Kabul në maj 2017. Por çfarë nënkuptojnë këto vendime të talibanëve për jetën e përditshme të njerëzve në Afganistan?

Reklamë

Frika si shpata e Damokleut

Kur kam telefonuar me politikanen afgane, Habiba Sarabi në Katar, ajo më tha se ndjehet si “fije bari e thatë në ujë”, e lënë nga të shkojë rryma. Me zë të dridhur tha, se ka frikë të tmerrshme nga kthimi në vendlindje, sepse është një grua politikisht aktive dhe se është pjesë e pakicës shiite Hazara. Hazarët janë shpesh të përjashtuar në Afganistanin sunit. Qeveria e parë talibane (1996-2001) i përndiqte ata sistematikisht. Në Masar i-Sharif në vitin 1998 u krye një vrasje masive.

A do të kthehet tani Afganistani në një vend, ku gratë, pakicat dhe ata që mendojnë ndryshe do të bëhen të padukshëm që të mbijetojnë? Ndjesia e sigurisë së një njeriu nuk varet vetëm nga ajo, nëse dikush ushtron menjëherë dhunë, por edhe nga vetëdija, se dikush mund të ushtrojë dhunë në çdo kohë. Pa ndëshkim, sepse ka pushtetin absolut. Frika e shpatës së Damokleut rri pezull kudo.

Absolutizëm i fituesve

Habiba Sarabi, kjo “fije bari e thatë në ujë” ishte pjesë e shtetit afgan, që u ngrit me intervenimin perëndimor pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ajo ka qenë guvernatorja e parë e një province, ministre e gruas dhe kandidate për zëvendëspresidente. Ajo bënte pejsë tek ato katër gra, që deri para pak javësh negociuan me talibanët për paqen pa sukses në Doha. Por talibanët fituan mbi Republikën Islamike të Afganistanit, për të cilën luftonte Sarabi dhe e shfuqizuan. Në emiratin e tyre islamik gratë nuk kanë më poste politike. Edhe përfaqësues nga rendi i mëparshëm afgan nuk gjenden në emiratin e rij, megjithë betimet e talibanëve, se duan të ngrenë një “sistem inkluziv islamik”.