BE identifikon “15 vendet e sigurta”, Covid lë jashtë Shqipërinë

Vendet anëtare të BE-së kanë identifikuar një listë me 15 vende të sigurta të botës për të cilat nuk do të kenë më kufizime në udhëtime.


Shqipëria dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon janë përjashtuar nga lista për shkak të situatës së përkeqësuar me pandeminë javë e fundit.

Shtetasit nga Shqipëria pritet të mos lejohen të hyjnë lirisht në vendet e Bashkimit Europian të mërkurën, kur unioni do të hapë kufijtë e vet me jashtë pas izolimit disamujor prej pandemisë.

Një listë e përpiluar nga vendet anëtare sanksionon se vetëm 14 shtete jashtë BE-së do të kenë të drejtë lëvizjeje të rregullt drejt destinacioneve europiane pas 1 datës korrik.

Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, aktualisht rezultojnë vetëm Mali i Zi dhe Serbia, ndërkohë që Tirana, Shkupi dhe Prishtina janë lënë jashtë për shkak të ecurisë epidemiologjike me kovidin.

Për këto vende, secili shtet i BE-së mund të vendosë në mënyrë sovrane për kufijtë e vet.

Mes 15 vendeve të sigurta që do të lejohet të vizitojnë kryeqytetet europiane për qëllime turizmi janë shtetasit nga Australia, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Tajlanda,Gjeorgjia,Maroku, Ruanda, Tunizia dhe Uruguaji.

Në listën që ka mbështetjen paraprake të vendeve anëtare është lënë e hapur mundësia për edhe për Kinën, por vetëm nëse kjo e fundit heq reciprokisht kufizimet e tanishme për udhëtarët nga BE-ja.

Deri në marrëveshjen e Breksitit, shtetasit britanikë do mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa për qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brazilit dhe Rusisë janë ndaluar udhëtimet drejt unionit për arsye të shëndetit publik.

Europa numëron rreth dy milionë e gjysmë raste të infeksioneve me koronavirus nga 10 milionë që raportohen në të gjithë botën.

Drejtuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom, tha të hënën se politizimi i kovidit-19 po shkakton përçarje mes vendeve dhe po dëmton kontrollin efektiv të pandemisë.

“Pyetja kritike që çdo komb duhet t’i shtrojë vetes në muajt që vijnë është si jetohet me virusin. Të gjithë duam që të mbarojë për të vazhduar jetën. Por realiteti i hidhur është se nuk jemi aspak afër mbarimit, dhe me gjithë progresin e arritur, pandemia aktualisht po përshpejtohet.”

Më shumë se 500 mijë persona nuk i kanë mbijetuar dot infeksionit të kovidit të ri, gjysma e tyre në vetëm katër shtete si SHBA-ja, Brazili, Britania e Madhe dhe Italia.