×
  • Lajme
  • Botë

    BREXIT në kaos total, Londra kërkon shtyrje, BE drejt refuzimit

    Reporteri
    05 Prill 2019 | 12:46

    Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ishte shprehur se një ofertë “elastike” 12-mujore do të ishte “e vetmja rrugëzgjidhje e arsyeshme” për krizën e “Brexit”-it, duke kërkuar madje nga udhëheqësit e 27 vendeve të tjera të Bashkimit Europian që ta mbështesnin në idenë e tij gjatë ditës së sotme.


    Por, mëngjesin e kësaj të premteje, kryeministrja Theresa May i ka nisur një letër shefit të Këshillit Europian, duke kërkuar në mënyrë formale shtyrjen e “nenit 50”, që do të vonojë shkëputjen e Britanisë së Madhe përtej 12 prillit, deri më 30 qershor.

    Megjithatë, në letër kërkohet gjithashtu të përfshihet edhe një “klauzolë përfundimi”, sipas burimeve qeveritare britanike.

    May ka thënë se do të përpiqet të sigurojë një marrëveshje për shkëputjen deri më 22 maj, dita e fundit përpara zgjedhjeve europiane, por pranon se Britania e Madhe do të futet në zgjedhje dhe do të zgjedhë anëtarët e saj në Parlamentin Europian, nëse ajo dështon në përpjekjen e saj të disatë.

    Por, burime nga Bashkimi Europian thonë se krerët e shteteve anëtare do të refuzojnë datën e re të 30 qershorit të kërkuar nga May, e madje pritet t’i thonë asaj se vetëm një marrëveshje njëvjeçare do të shtrohet si opsion i vetëm. Ndoshta kryeministrja May do të jetë e detyruar të pranojë ofertën, duke qenë se opsioni tjetër i shkëputjes “pa marrëveshje” nuk është mbi tryezën e saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!