×
  • Lajme
  • Botë

    Ëndrra për një jetë më të mirë që vdiq në Christchurch

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 18:13

    Abdul Nazer dhe bashkëshortja e tij, Ansi Alibava, kishin planifikuar jetën e tyre. Ata kishin huazuar para për t’u zhevndosur në Zelandë të Re nga India vitin e kaluar, kështu që ajo mund të  merrte një diplomë master në menaxhimin e agrobiznesit. Ai punonte në një supermarket lokal që të ndihmonte në pagimin e faturave. Kur u diplomua Alibava, ata shpresonin se ajo do të fitonte një punë me pagë të mirë, kështu që ata do të jetonin dhe punonin në Zelandë të Re, përpara se të ktheheshin në shtetin jugor indian të Keralas për t’u vendosur. Mirëpo, të premten të gjitha këto ëndrra vdiqën, transmeton Reporteri.net


    Të shtënat masive të së premtes në dy xhami në Christchurch ndryshuan gjithçka. Nazer rrëfen historinë e tij për CNN duke iu dridhur buza. Ai mezi ka fjetur që nga e premtja. Miku i tij, Renju George, qëndron, duke mbushur boshllëkun kur Nazer lufton për të folur.

    Nazer, 34 vjeç, dhe Alibava, 25 vjeç, ishin të dy në xhaminë Al Nur kur u dëgjuan të shtënat e para të një prej sulmeve më të tmerrshme në Zelandën e Re. “Menjëherë para lutjes kryesore, dëgjova një të shtënë dhe mendova se disa fëmijë jashtë mund të kishin shpërthyer ndonjë tullumbace”, thotë Nazer, në gjuhën e tij amtare. Pas disa sekondash, një seri të shtënash nga një armë e fuqishme bënë që 300 njerëz në xhami të luftonin për të dalë jashtë. Nazer thotë se ishte afër një dere emergjente dhe u arratis pasi dikush kishte thyer xhamin. Të tjerët nuk ishin aq me fat. “Njerëzit filluan të bien mbi mua, pashë gjak në rrobat e tyre”, thotë ai.

    Ai vrapoi në një shtëpi fqinje dhe telefonoi policinë për ndihmë përpara se të kthehej në xhami për të gjetur gruan e tij, të cilën ai nuk e kishte parë që kur ata ishin ndarë në xhami. Skena me të cilën u përball ishte e tmerrshme.Trupat u shpërndanë në rrugë pranë pellgjeve të gjakut. Shumë njerëz u plagosën. Pastaj ai pa figurën e palëvizshme të gruas së tij, e shtrirë me fytyrë poshtë në rrugë. “Vrapova drejt saj dhe më pas një polic më ndaloi dhe më tha të lëvizja diku tjetër”, rrëfen ai.

    Deri në natën e së shtunës, më shumë se 24 orë pasi kishte ikur nga xhamia, policia konfirmoi se Alibava ishte një nga 50 personat e vrarë në sulmet e së premtes.

    Alibava mbaroi studimet e magjistraturës tre javë më parë, pasi bëri studime shtesë verën e kaluar për të përfunduar më herët se shokët e klasës. Shokët thonë se Alibava ishte studentja më e zgjuar në klasë. “Profesorët e saj, të gjithë e donin atë. Ajo ishte aq e zgjuar”, rrëfejnë ata.

    Nazer dëshiron të dërgojë trupin e gruas së tij në Kerala për të qenë afër nënës dhe vëllait të saj. Babai i saj vdiq disa vjet më parë. Nazer nuk e di se çfarë do t’i sjellë e ardhmja, por ai thotë se e di se dëshiron të qëndrojë në Christchurch, ku bashkë me bashkëshorten e kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre. “Ajo kishte shumë ëndrra”, thotë ai. “Askush nuk priste që diçka e tillë të ndodhte. Ka shumë njerëz të mirë këtu… Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë familjeje”, shprehet ai./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!