×
  • Lajme
  • Botë

    Erdogani inauguron xhaminë që zë 63 mijë besimtarë

    Reporteri
    04 Maj 2019 | 15:05

    Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka inauguruar në mënyrë zyrtare xhaminë më të madhe në Turqi, e cila ka arkitekturë të stilit otoman dhe ndodhet në një kodër të Stambollit, prej së cilës shihet Ngushtica e Bosforit.


    Xhamia Camlica është një nga xhamitë e shumta të stilit otoman që janë ndërtuar gjatë pushtetit 17-vjeçar të presidentit Erdogan dhe partisë së tij, Partia Për Drejtësi. Kupa e saj është jashtëzakonisht e madhe dhe xhamia ka minaret 107 metra të larta. Në këtë mënyrë, xhamia mund të shihet nga të gjitha pjesët e qytetit me 16 milionë banorë.

    Gjatë një ceremonie me disa liderë tjerë ndërkombëtarë, Erdogan tha se struktura e xhamisë i shkon për shtati Turqisë bashkëkohore. “Xhamia ka shumë simbole që i përkasin historisë, civilizimit dhe besimit tonë”, tha ai.

    Erdogan gjithashtu foli kundër sulmeve në rritje ndaj objekteve fetare nëpër botë, përfshirë sulmin në xhamitë e Zelandës së Re dhe kishave në Sri-Lankë.

    “Ata që i sulmojnë xhamitë dhe kishat e kanë të njëjtën mendësi të errët. Masakrimi i njerëzve të pafajshëm dhe bombardimi i shtëpive të adhurimit nuk janë xhihad. Këto janë terror, mizori dhe vrasje”, tha Erdogan.

    Ndërtimi i kësaj xhamie ka kushtuar rreth 100 milionë dollarë dhe ka zgjatur gjashtë vjet. Në të mund të falen 63 mijë besimtarë në të njëjtën kohë. Në kompleksin e strukturës së saj ka edhe muze, galeri, salla për mësim dhe një qendër për konferenca, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!