×
  • Lajme
  • Botë

    Fitorja e Bidenit u mirëprit në Evropë, por rrezikon projektin e Macronit

    Reporteri
    29 Nëntor 2020 | 15:40

    Paris, 29 nëntor (Foreign Policy Magazine) – Shumë kryeqytete evropiane kanë mirëpritur fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale amerikane. E konsideruan lehtësim të madh pas katër vjetëve me telashe me presidentin Donald Trump. Por, bashkë me gëzimin e madh për ndryshimin në Amerikë dhe premtimin për kthim në multilaterilizëm të Shtëpisë së Bardhë, fitorja e Bidenit spikat edhe çarjet e reja dhe të vjetra në lidhje me rolin e Evropës në skenën botërore.


    Zyrtarët francezë në veçanti po hamendësohen se deri në çfarë shkalle mund të dëmtohen përpjekjet e tyre për të shtyrë përpara planin për një Bashkim Evropian më të pavarur në aspektin gjeopolitik. Ky është një projekt i madh i viteve të fundit, i prirë prej presidentit Emmanuel Macron, por që duket se po merrte shtytje edhe më të madhe prej qasjes kundërthënëse të presidentit Trump në Shtetet e Bashkuara që po zbatonin politika të njëanshme në skenën botërore.

    Paralajmërimi për “duopolin” amerikano-kinez

    “A do të bëjë ndryshimi në Amerikë që të ketë njëfarë dorëzimi në mesin e evropianëve kundrejt përpjekjes për autonomi më të madhe strategjike?” – ka shtruar pyetjen retorike Macroni në një intervistë të javëve të fundit. Macroni ka shpalosur vizionin e tij për një Evropë që mund të mbahet vetë pavarësisht dominimit nga gjigantët ekonomikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina. Megjithëse Macroni i ka konsideruar amerikanët “aleatët tanë historikë”, ka spikatur gjithashtu ndryshimet kulturore dhe gjeopolitike ndërmjet dy anëve të Atlantikut, dhe e bëri të qartë se Evropa duhet të ndjekë politika strategjike të qarta dhe relevante për “veten” dhe “për të parandaluar duopolin amerikano-kinez”.

    Konkretisht, ka argumentuar ai në intervistën e gjatë, kjo nënkupton se duhen përpjekje shtesë për mbrojtje të përbashkët evropiane, njëherësh duke gjetur zgjidhje për çështje të varësisë teknologjike kundrejt dy superfuqive kur shtrohet çështja e rrjeteve 5G dhe çështjes së ruajtjes së të dhënave virtuale. Macroni ka folur edhe kundër paqartësisë amerikane në politikën financiare, duke kujtuar kërcënimet amerikane për sanksione kundër firmave evropiane që kanë kontrata biznesi me Iranin pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja për programin bërthamor me Iranin më 2018.

    “Nuk jemi vasalë”

    Dhe duke ditur se krejt këto shqetësime vijnë nga Parisi, nuk përbëjnë asgjë të re. Një Francë më e fuqishme nëpërmjet një Evrope më të fuqishme ka qenë thelbi i politikës së Macronit për vite me radhë – dhe ka qenë pjesë e ADN-së politike të Francës për dekada me radhë. Qasja e pallatit presidencial të Francës kundrejt NATO-s ta zëmë ka qenë e dykuptimshme prejse presidenti Charles de Gaulle, i cili më 1966 tërhoqi forcat franceze nga komanda e aleancës – vendim që do të përmbysej krejtësisht vetëm 40 vjet më vonë.

    “Nëse shikoni se si Franca e ka pozicionuar veten në Perëndim prej De Gaullet e tutje, është saktësisht kështu: ‘Ne jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat ndajmë vlera të përbashkëta, por ne nuk jemi vasalë dhe duhet të respektohemi’”, ka theksuar Christian Lequesne, profesor i gjeopolitikës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave, Po.

    Çështja kryesore për Parisin është, në mungesë të Trumpit si karrem, nëse partnerët evropianë ende do të përqafojnë të njëjtën qasje. Viteve të fundit, falë luftërave tregtare të Trumpit, shuplakave NATO-s dhe përplasjeve politike dhe ekonomike nga çështja e Iranit deri te ndryshimi klimatik, Evropa dukej e gatshme të krijonte një rol më të pavarur për veten. Zyrtarët gjermanë dhe francezë, të nxitur nga presioni ekonomik amerikan, flasin hapur për rikthimin e “sovranitetit ekonomik”. Më 2018, presidenti i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e titullon fjalimin e përvitshëm, “Ora e sovranitetit evropian”. Në pranverë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi “sovranitet më të madh strategjik për BE-në”.

    Goditje planeve të mbrojtjes

    Megjithatë, diskutimi pësoi goditje kur kaloi në sferën e mbrojtjes. Një fond për zhvillimin e mbrojtjes evropian u themelua për të zhvilluar teknologji ushtarake dhe për bashkëpunim të përmirësuar, por burimet e alokuara prej buxhetit të fundit shtatëvjeçar janë 40 për qind më të ulëta sesa ishte propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian. Agjencia Evropiane e Mbrojtjes njofton se këto shpenzime do të mund të bëheshin vetëm nëse do të kishte buxhet të nivelit të para vitit 2007. Dhe pavarësisht marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak të nënshkruar më 2018, krijimi i një ushtrie të integruar evropiane vazhdon të mbetet vetëm fantazi në këtë fazë.

    Dhe këto ndasi janë bërë të qarta në javët e fundit për shkak të argumentimit të pazakonshëm publik ndërmjet Macronit dhe ministres gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrembauer. Në një opinion në “Politico”, ajo argumentonte se “iluzionet e një autonomie strategjike evropiane duhet të marrin fund: Evropianët nuk do të jenë në gjendje të zëvendësojnë rolin thelbësor të Amerikës si garantues sigurie”. Macroni tha më vonë se kishte mospajtime “të thella” kundrejt kësaj logjike.

    Në njëfarë mënyre, ndasitë duken edhe më të thella sesa janë. Javën e kaluar, ministrat e jashtëm të Francës e Gjermanisë shkruan një kolumne të përbashkët, duke pranuar se partneriteti transatlantik duhet të jetë “më i balancuar”. Sidomos pas vendimit të Trumpit për të tërhequr mijëra trupa amerikane nga Gjermania, Berlini e di se Evropa duhet të pranojë më shumë ndarje përgjegjësie, me burimet amerikane që janë përherë të zotuara për konfrontim me Kinën.

    Tërheqja e Merkelit, sfidë më vete

    Mënyra e realizimit të planeve është një tjetër dallim. Ministrja gjermane e Mbrojtjes ngulmon se Evropa duhet të ketë më shumë shpenzime ushtarake dhe të marrë disa prej detyrave që i kryen tani Ushtria amerikane në Evropë për t’ia dëshmuar Washingtonit dhe NATO-s, se sa serioze janë shtetet evropiane si mbështetëse të fuqishme të marrëdhënieve transatlantike.

    Problemi i Macronit është se edhe nëse pajtohet me qasjen gjermane, nuk është e qartë nëse mund të materializohet. Dhe çfarëdo plani eventual ushtarak i Gjermanisë mbetet në hije të mandatit të Merkelit, e cila ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga politika me të mbaruar mandatin e katërt më 2021.

    Në këtë sens, përplasja franko-gjermane mund të jetë përpjekje e Macronit për ta mbajtur aktiv presionin, duke parë se ka mungesë të besimit në Berlin për përmbushjen e zotimeve për shpenzimet ushtarake. Përderisa buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë ka shënuar ngritje viteve të fundit, vazhdon të mbetet poshtë nivelit prej 2 për qind të bruto prodhimit të brendshëm, të përcaktuar për shtetet anëtare të NATO-s për mbrojtje.

    “Macroni i izoluar”

    Gjermania llogaritet se tani shpenzon rreth 1.6 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje, krahasuar me Francën me 2.1 për qind. Dhe kur vjen puna te zhvillimi i teknologjisë dhe i kërkimeve të lidhura me mbrojtjen, Gjermania është një prej vendeve anëtare të NATO-s me shkallën më të ulët të fondeve të ndara. Madje, ka pasur shumë kritika për gjendjen e përkeqësuar të Bundeswehrit, Ushtrisë gjermane.

    Kjo, bashkë me fitoren e Bidenit, është çfarë duket se e pamundëson një kthesë të madhe në vizionin e Macronit për një Evropë më të pavarur dhe më muskulore në fushën e mbrojtjes. Për më tepër, anëtarët e tjerë të NATO-s dhe BE-së, si Polonia dhe në shkallë më të ulët Hungaria e shtetet baltike, kanë edhe më pak gatishmëri se Gjermania për të ndjekur politika për më shumë pavarësi strategjike nga Shtetet e Bashkuara.

    “Presidenti francez është goxha i izoluar”, ka deklaruar Lequesne nga Shkencat Po. “Shumë shtete të BE-së ende janë relativisht të etura ta pranojnë hegjemoninë amerikane, dhe në këtë pikë po e pëson projekti i Macronit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!