Gjashtë ushtarë britanikë arrestohen për sulm seksual ndaj një ushtareje të re

Gjashtë ushtarë të forcave të armatosura të Britanisë së Madhe janë arrestuar nën dyshimin se e kanë sulmuar një ushtare në moshë të re.


Ministri i Mbrojtjes, Gavin Williamson, ka shkruar se është i tronditur nga këto dyshime dhe se në tërë ushtrinë do të urdhërohet shqyrtimi i sjelljes së trupave të armatosura.

“Nuk ka vend për këso lloj sjelljesh në ushtri dhe nëse këto dyshime vërtetohen, ushtarët e përfshirë në këtë rast duhet të përballen me forcën e plotë të ligjit”, tha Williamson.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë britanike, Gjenerali Sir Mark Carleton-Smith, tha se çdo sjellje e pahijshme është tepër e papranueshme. “Kjo është në kundërshtim të plotë me atë që përfaqëson ushtria britanike dhe se mungesa e disiplinës bie ndesh me vlerat dhe standardet që e dallojnë ushtrinë e kombit tonë”, tha ai.

Ushtria britanike u bë cak i kritikave gjatë kësaj jave edhe për një sjellje tjetër. Në një video të publikuar në internet shihet se si disa ushtarë e përdorin fotografinë e liderit të opozitës, Jeremy Corbyn, për të shtënë me armë gjatë ushtrimeve. Kjo ngjarje ka ndodhur në Kabul të Afganistanit, ku janë të stacionuar qindra ushtarë britanikë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.