×
  • Lajme
  • Botë

    Gjermania lakmohet nga refugjatët, e para nga numri i azilkërkuesve në BE

    Reporteri
    19 Korrik 2021 | 16:41

    Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në Gjermani ka pasur më së shumti kërkesa për azil politik. Kjo shihet qartë nga shifrat e Komisionit të BE-së për gjysmën e parë të vitit.


    Me 47.231 kërkesa të reja për azil në gjashtë muajt e parë të vitit, sipas shifrave aktuale, Gjermania është në vendin e parë në Bashkimin Evropian për nga numri i kërkesave për azil. Pasojnë Franca (me 32.212 kërkesa), Spanja (25.823) dhe Italia (20.620). Në fund të listës janë Letonia (58), Estonia (30) dhe Hungaria me vetëm 19 kërkesa për azil deri në fund të qershorit të vitit 2021. Këto të dhëna i ka publikuar gazeta “Welt am Sonntag”, duke cituar burime të besueshme, që kanë pasur në dorë raportin e fundit: “Raporti i Situatës: Migrimi dhe Situata e Refugjatëve”, të hartuar nga Komisioni i BE-së për situatën aktuale të migrimit në Evropë. Raporti i referohet shifrave të publikuara më parë nga autoriteti i azilit i BE-së EASO (Zyra Evropiane e Mbështetjes së Azilit).

    Sirianët dhe afganët me numrin më të madh të kërkesave

    Sipas këtij Raporti, 36 për qind e aplikantëve për azil në Gjermani janë sirianë, të ndjekur nga afganët (18 për qind) dhe irakianët (6,6 për qind). Numri i përgjithshëm i personave që kanë kërkuar azil në gjashtë muajt e parë të këtij viti në BE, Zvicër dhe Norvegji është 194.808. Sipas këtij burimi, kjo kryesisht korrespondon me periudhën përkatëse të vitit të kaluar. Shifrat e këtij gjashtëmujori janë më të ulëta se në vitet e mëparshme, si rezultat i pandemisë Corona.

    Austria renditet në vendin e gjashtë me 9.651 kërkesa për azil në gjysmën e parë të vitit 2021, thuhet në këtë dokument. Sipas raportit, 31 për qind e aplikantëve në këtë vend fqinj të Gjermanisë kanë ardhur nga Siria, 24 për qind nga Afganistani dhe 7,7 për qind nga Maroku. Në dallim prej disa viteve të fundit, shqiptarët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk luajnë ndonjë rol tepër të rëndësishëm në statistikat e publikuara deri tani./dw.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!