Greqia, “parking për emigrantët”

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis kritikoi Bashkimin Europian se po e konsideronte Greqinë dhe vendet e tjera të hyrjes në Europë si “parking i përshtatshëm për refugjatët dhe emigrantët”.


Në një intervistë të publikuar sot në gazetën gjermane “Handelsblatt”, kreu i qeverisë konservatore shprehu keqardhjen që Bashkimi Europian po injoron problemin e rritjes së numrit të migrantëve Greqi.

“Më shumë se 1 350 persona kanë mbërritur në ishujt grekë të detit Egje nga e premtja deri të hënën”, sipas rojave bregdetare greke.

“Kjo nuk mund të vazhdojë kështu”, deklaroi Kyriakos Mitsotakis, i zgjedhur më 7 korrik.

“Europa i konsideron vendet e hyrjes si Greqia, si parkime të përshtatshme për refugjatët dhe imigrantët. A është ky solidaritet europian? Jo! Nuk do ta pranoj më”, theksoi Mitsotakis.

Ai u tregua shumë i ashpër ndaj Turqisë që po përpiqet të përdorë çështjen migratore si mjet presioni ndaj Europës.

“I kam thënë presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se nuk mund të instrumentalizojë imigrantët dhe refugjatët nëse dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë”, nënvizoi Mitsotakis.

“Nëse ne u telefonojmë rojave bregdetare turke dhe sinjalizojmë një anije me migrantë që ka lënë brigjet turke dhe nuk marrim asnjë reagim. Kjo është e papranueshme, sepse kjo shkel marrëveshjen BE-Turqi mbi refugjatët”, theksoi kryeministri grek.

Qeveria greke shprehu vullnetin për të rikthyer në Turqi rreth 10 000 imigrantë deri në fund të vitit 2020, në kuadër të paktit në muajin mars 2016 mes Brukselit dhe Ankarasë.