Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, dhe një turmë prej rreth 10.000 protestuesish marshuan në qytetin zviceran të Lozanës, para se të shkojnë në Davos, javën e ardhshme, për të kërkuar nga liderët botëror dhe ata të biznesit, të bëjnë më shumë për të luftuar krizën e klimës.
Në fillim të javës së ardhshme, në Davos të Zvicrës, mbahet Forumi Ekonomik Botëror.
Forumi organizohet çdo vit, në muajin janar, dhe në të marrin pjesë liderë politikë dhe ata biznesorë.
Thunberg, 17-vjeçare, e filloi vite më parë një lëvizje kundër ndryshimeve klimatike.
Fushata e saj ka marrë përmasa botërore.
“Për udhëheqësit botërorë dhe ata që janë në pushtet, unë do të doja të them se nuk keni parë asgjë akoma”, tha Thunberg, gjatë fjalimit në Lozanë.
Kjo është hera e dytë që Thunberg merr pjesë në Forumin e Davosit. Këtë vit, ajo do të jetë pjesë e dy paneleve të diskutimeve.
Qindra përkrahës të saj do të udhëtojnë përmes trenave drejt Davosit.
Mbledhja e këtij viti mbahet në sfondin e zjarreve që kanë përfshirë pjesë të mëdha të Australisë.
Derisa qeveria australiane ka refuzuar ta ndërlidhë këtë situatë me ndryshimet klimatike, megjithatë është shtuar shqetësimi i publikut për ngrohjen e planetit.
Viti i kaluar, ishte i dyti më i nxehti në Tokë, që kur filluan regjistrimet e temperaturave, tha të mërkurën Organizata Botërore e Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara (WMO).
Revista Time e ka shpallur aktivisten kundër ndryshimeve klimatike, Greta Thunberg, person të vitit 2019-të.
Thunberg ka qenë favorite për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, mirëpo i njëjti është ndarë për kryeministrin e Etiopisë, Abiy Ahmed./Rel
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.