Italia i jep nënshtetësinë 13 vjeçarit hero që shpëtoi 50 shokë nga vdekja

Djaloshi që shpëtoi shokët e tij të klasës nga një “pengmarrës” autobusi shkolle pritet të marrë nënshtetësinë italiane, pas një hezitimi të gjatë të autoriteteve italiane, sipas asaj që ka deklaruar zv.kryeministri Matteo Salvini.


Ramy Shehata, 13 vjeç, ishte personi që ngriti alarmin përmes telefonit të tij që e mbante të fshehur, kur shoferi i autobusit ua kishte marrë ato të gjithë nxënësve të tjerë, duke u kthyer kështu në heroin e ngjarjes së shënuar në Milano të Italisë.

Ai, së bashku me 50 nxënës të tjerë arritën të largoheshin nga mjeti me të cilin po udhëtonin, përpara se shoferi t’i vinte zjarrin në shenjë proteste për viktimat e shumtë në Mesdhe, sigurisht mes refugjatëve që synojnë të mbërrijnë në Europë për t’i shpëtuar luftërave apo varfërisë së skajshme në vendet e Afrikës së Veriut.

Sipas ANSA-s, Salvini tha se djaloshit i duhej dhënë nënshtetësia për heroizmin e tij. “Po, sigurisht që jam në favor të nënshtetësisë për Ramy, sepse është si të ishte djali im, e për më tepër ka treguar se i kupton vlerat që ndan ky vend”, shtoi Salvini, transmeton TCH.

Babai i Ramy kishte emigruar në Itali në vitin 2001 nga Egjipti, e në vendin e Apenineve kishte lindur të birin, por pa e pajisur asnjëherë me një dokument zyrtar nga shteti italian.

Sipas ligjit italian, fëmijët e lindur nga prindër emigrantë nuk mund të marrin nënshtetësinë derisa të arrijnë moshën 18 vjeç.

Djaloshit 13-vjeçar i ishte thënë nga zyrtarë qeveritarë se ai do ta fitonte nënshtetësinë gjatë javës së kaluar, por Salvini, kreu i Lega Nord, një parti qartësisht kundër emigracionit, kishte hezituar të bënte një përjashtim për të. Kjo, me arsyen se nevojiteshin kontrolle mbi formimin e të atit, Khaled Shehata, përpara se të merrej vendimi.

I vë zjarrin autobusit pasi zbret 51 nxënës. Shoferi: Fund vdekjeve në Mesdhe
Salvini duket se ndryshoi qëndrim këtë të martë teksa fliste për mediet, duke thënë se “ligjet e emigracionit duhen anashkaluar kur vjen puna për veprime që shfaqin një akt kurajoz”. Zv.kryeministri tjetër nga Lëvizja e 5 Yjeve, Luigi Di Maio u shpreh “i lumtur” që kishte mundur ta bindte Salvinin për t’i dhënë Ramysë nënshtetësinë italiane. /Reporteri.net/.