×
  • Lajme
  • Botë

    Jerusalemi përgjaket sërish, çfarë fshihet pas konfliktit të fundit palestinezo-izraelit

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 14:38

    Qyteti i Jerusalemit edhe një herë është gjendur në qendër të konfliktit palestinezo-izraelit.


    Ky qytet i shenjtë për të dy popujt ka përjetuar trazirat më të rënda ndër vite.

    Problemet në qytetin e vjetër filluan në ditën e parë të Ramazanit, 13 Prill, kur besimtarët myslimanë palestinezë u mblodhën në Xhaminë Al-Aksa për lutjet e mbrëmjes, por, katër minaret përreth Al-Aksës heshtën në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Sipas mediave të huaja, forcat izraelite të sigurisë hynë në to dhe prenë instalimet elektrike te altoparlantët. Akti i sabotimit shkaktoi protesta të zemëruara, transmeton në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Pas qetësimit të gjakrave, pikë tjetër e nxehtë në eskalimin e situatës u bë lagjia “Sheik Jarra”.

    Zemërimi nisi përpara një vendimi të gjykatës izraelite, që të dëbojnë dhjetëra palestinezë nga lagja me shumicë arabe të Jerusalemit Lindor “Sheik Jarrah” dhe t’u japin shtëpitë e tyre kolonëve hebrenj.

    Situata eskaloi pasi kolonët izraelitë hynë në lagje pas vendimit të gjykatës që rezultoi me dëbimin e familjeve palestineze.

    Protestuesit janë mbledhur çdo natë në Sheikh Jarrah gjatë javës së kaluar, duke u përplasur me policinë dhe grupet e ekstremit të djathtë të Izraelit.

    Cila është historia?

    Familjet hebreje pretendojnë se kanë humbur tokën në Sheikh Jarrah gjatë një lufte që shoqëroi krijimin e Izraelit më 1948, një konflikt në të cilin qindra mijëra palestinezë gjithashtu u zhvendosën.

    Dy dekada më vonë, Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor nga forcat jordaneze në luftën e vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë.

    Sipas ligjit izraelit, hebrenjtë që mund të provojnë se kishin tokë para vitit 1948 mund të kërkojnë kthimin e pronave të tyre në Jerusalem.

    Asnjë ligj i ngjashëm nuk ekziston për palestinezët që humbën shtëpitë në Jerusalemin Perëndimor.

    Përleshjet e dhunshme mbi Jerusalemin u përshkallëzuan në mënyrë dramatike të hënën nga sulmet ajrore izraelite të nisura pasi grupet militante palestineze hapën raketa afër Jeruzalemit.

    Izraelitët, të hënën, do të shënonin Ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që shënon aneksimin.

    Në atë ditë, sionistët e rinj – nacionalistë hebrenj organizuan një marshim kryesisht nëpër pjesët e Jerusalemit të populluara nga myslimanët.

    Shumë palestinezë i konsiderojnë manifestime të tilla si provokime të qëllimshme.

    Protestuesit palestinezë u përplasën me policinë Izraelite përpara Xhamisë Al Aksa në Jerusalem përpara marshimit të paralajmëruar të nacionalistëve hebrenj.

    Policia izraelite tha se mijëra palestinezë u  barrikaduan në kompleksin ku ndodhet xhamia gjatë natës dhe se planifikonin të kryenin sulme gjatë marshimit.

    Ushtria e Izraelit tha se kreu sulme kundër grupeve të armatosura pasi militantët atje kaluan atë që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti “vijë të kuqe” duke qëlluar në zonën e Jerusalemit për herë të parë që nga luftimet në vitin 2014.

    Jeruzalemi ka qenë gjithmonë qendra e krizës izraelito-palestineze.

    Nuk ka pasur kurrë një kohë kur ka qetësi të plotë në Izrael dhe Palestinë, kështu që është e vështirë të krahasosh episodet e dhunës.

    Ashtu si me përshkallëzimet e mëparshme të dhunës, qeveritë botërore kanë bërë thirrje për qetësi.

    Vendet perëndimore kanë kritikuar Hamasin për sulmet me raketa dhe Turqia ka thënë se do të mobilizojë veprime globale kundër asaj që ata e kanë quajtur terror izraelit.

    Deklaratat e Erdoganit nxitën protesta të dhunshme në Stamboll dhe në Ankara ku u dogj flamuri izraelit. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!