Kuvendi i Maqedonisë së Veriut shtyn regjistrimin e popullsisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten në mbrëmje ka miratuar vendimin për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në muajin shtator.


Propozim-ligji i qeverisë u mbështet nga 95 deputetë të shumicës parlamentare dhe të VMRO-DPMNE-së në opozitë. Dymbëdhjetë deputetët e opozitës shqiptare votuan kundër.

Regjistrimi i popullsisë duhej të realizohej nga 1-21 prill, por qeveria kishte kërkuar shtyrjen pas marrëveshjes së dy liderëve politikë maqedonas, kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës maqedonase, Hristirjan Mickoski.

Ata morën një vendim të tillë, që u mbështet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike me pandeminë e koronavirusit.

Por, opozita shqiptare që përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, vendimin e liderëve maqedonas e kanë quajtur “politik”, që sipas opozitës është nxitur nga “frika e regjistrimit të një numri të madh të diasporës shqiptare, por jo edhe të asaj maqedonase, që mund të çojë në rritjen e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Regjistrimi i diasporës kishte nisi një muaj më parë, më 1 mars, përmes një sistemi elektronik. Deri të premten sipas Entit të Statistikës janë regjistruar mbi 178 mijë persona në diasporë.

Opozita shqiptare kishte dorëzuar mbi 200 amendamentet kundër shtyrjes së regjistrimit, por që të gjitha u refuzuan nga shumica parlamentare.

Ligji për shtyrjen e regjistrimit nuk ndalon regjistrimin e diasporës, procesi ky që do të vazhdojë deri më 5 shtator, kur duhet të nisë regjistrimi brenda territorit të Maqedonisë së Veriut e që do të zgjasë deri më 30 shtator.

Regjistrim i fundit është mbajtur në vitin 2002, një vit pas konfliktit të armatosur në vitin 2001, që kishte vendosur një rregullim të ri kushtetues në Maqedoninë e Veriut.

Me ndryshimet kushtetuese të miratuara në vitin 2002 në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët ishin bërë pjesë e preambulës së Kushtetutës, dhe të drejtat e tyre janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet. Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha të cilën e flasin mbi 20 për qind të popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe edhe pse, në Kushtetutë, nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetuese, shqiptarëve u sigurohet edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Partitë shqiptare në vazhdimësi kanë pretendime se numri i shqiptarëve është i lartë se përqindja zyrtare prej 25.17 për qind, bazuar në regjistrimin e vitit 2002. /REL