Moderna synon prodhimin e tri miliardë dozave vaksina më 2022

Kompania farmaceutike amerikane Moderna tha se pret të rrisë prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit deri në tri miliardë doza, në vitin 2022.


Kompania tha se prodhimi do të dyfishohet në objektet e saj në Zvicër dhe Spanjë, ndërsa do të rritet për 50 për qind edhe në fabrikat në SHBA.

Moderna po ashtu rriti parashikimet për furnizim këtë vit deri në një miliard doza.

Njoftimi vjen pasi përhapja e varianteve të koronavirusit në vende si India, ka rritur shqetësimet për kapacitetet e botës për të kapërcyer pandeminë.

“Derisa vazhdon përhapja e shpejtë e varianteve të koronavirusit, ne besojmë se do të ketë nevoja të mëdha për vaksinën tonë”, tha shefi ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel.

Vaksina Moderna është autorizuar për përdorim te të rriturit në SHBA, Bashkimin Evropian dhe shumë vende të tjera.

Vaksina është thënë se është 94.1 për qind efektive.

Vitin e kaluar, Moderna ka nisur testimin e vaksinës së saj edhe te fëmijët 12 deri në 17 vjeç, por rezultatet e këtij testimi nuk janë publikuar ende.

Në mars, ndërkaq, ka nisur testimi edhe në fëmijë të moshës gjashtëmuajshe deri në 11 vjeç.

Në studim e sipër janë edhe ndryshimet e dozave, për t’i përshtatur ato më mirë me mutacionet e koronavirusit.