Ngriten shqetësime në Ballkan se Kisha Ortodokse mund të jetë duke ndihmuar përhapjen e virusit

Vdekja e dy liderëve serbë të Kishës Ortodokse për një muaj pasi kishin rezultuar pozitivë për COVID-19, ekspertët e shëndetësisë, madje edhe besimtarët më striktë kanë filluar të shqetësohen. Përhapja e virusit në grupin më të madh fetar në Ballkan po bëhen më alarmante secilën ditë.


Një prift i Kishës Ortodokse që kishte marrë pjesë në lutje në funeralin e Patriarkut serb Irinej të dielën ku shumica e masave parandaluese të koronavirusit u injoruan, ka dalë pozitiv për COVID-19, ka njoftuar televizioni shtetëror serb të hënën.

Peshkopi David është personi i fundit në mesin e klerikëve për t’u infektuar, duke ngritur shqetësime në Ballkan se Kisha Ortodokse mund të jetë duke ndihmuar përhapjen e virusit me doktrinën e saj se besimtarët e vërtetë nuk mund të infektohen gjatë tubimeve të shenjta dhe shërbimeve të kishës.

Megjithatë, dy liderët më të lartë fetarë serb, patriarku dhe peshkopi Amfilohije, vdiqën për shkak të komplikimeve me COVID-19, transmeton Koha. Të dy neglizhuan mbajtjen e maskës në publik, ndërsa Amfilohije i përshkruante grumbullimet e mëdha fetare si “vaksina e Zotit”.

Mijëra njerëz të dielën morën pjesë në funeralin e patriarkut serb. Irinej ishte 90 vjeç dhe vdiq të premten, tri javë pasi kishte marrë pjesë në funeralin e Amfilohijes, ceremoni gjatë së cilës besimtarët i puthën duart derisa ai ishte i shtrirë në një arkivol të hapur.

Të dielën, shumë besimtarë dhe priftërinj që morën pjesë në funeralin masiv në Beograd, nuk mbajtën maska apo distancë sociale brenda kishës, teksa e puthnin xhamin që e mbulonte trupin e Irinejit, e për më tepër përdorën të njëjtën lugë gjatë Kungimit të Shenjtë.

Epidemiologët serbë thonë se nuk ka asnjë mundësi që ata t’i ndalonin lutjet tradicionale të funeralit, shkruan AP.

Një valë infektimesh ka ndodhur edhe në Kishën Ortodokse greke, ku disa figura të kishës janë infektuar. 82 vjeçari, kreu i Kishës së Greqisë, kryepeshkopi Ieronymos është shtrirë në spital javën e kaluar, megjithatë të hënën u tha se ai ishte në gjendje stabile.

Në Greqi, Kisha Ortodokse ka insistuar se praktika ku gjatë kungimit përdoret vetëm një lugë tek të gjithë të pranishmit, nuk e transmeton virusin me arsyetimin se është trupi dhe gjaku i Krishtit.

Metropoliti Ioannis është varrosur të hënën e kaluar në Greqi, pasi ishte infektuar me COVID-19.

Greqia aktualisht është në izolim të dytë pas rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe kishat janë mbyllur për vetëm shërbime online. Disa prej tyre nuk e kanë respektuar, teksa policia të dielën ka ndaluar një shërbim në një fhsat grek dhe ka gjobitur priftin me 1,500 euro pasi kishte lejuar pjesëmarrjen e dy njerëzve.

Pas ngjarjes, prifti u kishte thënë banorëve të fshatit që të kundërshtonin ndalimin, duke u deklaruar se “jeni me Krishtin ose me koronavirusin”.