×
  • Lajme
  • Botë

    Një burrë në Australi godet me veturë dyert e xhamisë dhe fyen besimtarët

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 10:54

    Një person 23-vjeçar është arrestuar nga policia australiane pasi e ka përplasur veturën e tij në portat e një xhamie në Queensland dhe i ka fyer besimtarët që ndodheshin brenda këtij objekti fetar.

    Policia ka njoftuar se incidenti ka ndodhur në xhaminë “Baitul Masroor” në Stockleigh të shtunën në mbrëmje, disa orë pasi personi i dyshuar ishte ndaluar nga policia për vozitje nën ndikimin e substancave të ndaluara.

    Besohet se vozitësi e ka përplasur veturën në dyert e xhamisë rreth orës 19 sipas kohës lokale, duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Më pas, ky person i kishte fyer besimtarët duke bërtitur nga makina me dritare të hapur. Policia e arrestoi atë pasi kishte shkuar në shtëpi.

    Ai është akuzuar nga organet e drejtësisë për dëmtim të qëllimshëm të pronës, fyerje publike dhe vozitje të automjetit përderisa e ka pasur të ndaluar një gjë të tillë.

    Rreth pesë orë para këtij incidenti, policia e kishte ndaluar të dyshuarin për ta testuar lidhur me substancat e ndaluara dhe u zbulua se ai është nën ndikimin e tyre. Këtij personi i ishte ndaluar vozitja për 24 orët e ardhshme dhe i ishte kërkuar të paraqitet në gjykatë për shkelje të rregullave.

    Sidoqoftë, ai doli me veturë sërish në rrugë dhe u përplas në dyert e xhamisë. Incidenti ndodhi vetëm një ditë pas sulmit terrorist në dy xhami të Zelandës së Re, ku u vranë 50 persona, shkruan “Daily Mail”, transmeton Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!