×
  • Lajme
  • Botë

    OBSH bën thirrje që shpërndarja e vaksinave kundër COVID-19 të bëhet në mënyrë të barabartë

    Reporteri
    07 Prill 2021 | 16:16

    Organizata Botërore e Shëndetësisë nxit shpërndarjen e barabartë të vaksinave anti-Covid. Gjithashtu, kërkon më shumë investime në prodhimin e dozave, testeve të shpejta dhe terapive që luftojnë koronavirusin. Deklarata erdhi nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili bëri të ditur se 190 shtete të botës kanë nisur programet e vaksinimit deri më tani.


    “Duhet të investojmë në prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet e shpejta për Covid-19, trajtimet me oksigjen dhe vaksina, mes dhe brenda shteteve”, u shpreh Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH.

    Kreu i OBSH-së tha se rritja e prodhimit të vaksinave dhe shpërndarja e barabartë e tyre mbesin metodat më efikase në luftimin e përhapjes së pandemisë. Gjithashtu, kritikoi disa vende të botës që nuk kanë vaksinuar ende punonjësit e shëndetësisë dhe grupet e rrezikuara.

    Ghebreyesus përsëriti thirrjen e tij për shtetet e pasur që të ndajnë me të tjerët dozat dhe metodat e tjera të trajtimit të pacientëve me Covid-19.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë sqaroi edhe njëherë qëndrimin lidhur me përdorimin e pasaportave të vaksinave, si zgjidhje për rikthimin e industrisë së turizmit global dhe tregtisë. Drejtori ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH, Michael Ryan, tha se “certifikatat e imunitetit” nuk duhet të përdoren për të shkuar në punë, shkollë apo për udhëtime ndërkombëtare. Sipas tij, kjo nxit diskriminim, pasi jo të gjithë kanë mundësi të vaksinohen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!