Papunësia në SHBA mbi 20%, këshilltari i Trump: Nuk ka rimëkëmbje pa vaksinë kundër Covid-19

Një numër rekord amerikanësh pritet të qëndrojnë në listat e të papunëve deri në vjeshtë si pasojë e pandemisë.


Teksa vendi gjendet pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, situata është në disfavorin e kreut të shtetit, Donald Trump.

Papunësia në Amerikë parashikohet të ngjitet mbi 20 për qind në muajin maj dhe mund të mbetet në nivele dyshifrore deri në muajin nëntor.

Për shkak të pandemisë Covid-19, muajin e kaluar norma e papunësisë në SHBA preku vlerën 14,7 për qind, apo 11 për qind mbi mesataren njëvjeçare.

Numri i personave të papunë u rrit me 7 milion, të punësuarit u ulën me 22,4 milion sikundër edhe pjesëmarrja në forcën e punës, duke kapur vlerat më minimale që nga depresioni i madh i viteve 1930.

Por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Haset, tha të dielën se pasojat katastrofike të pandemisë në ekonomi mbeten ende për t’u konfirmuar.

Pika e kthesës pritet të shënohet në muajin qershor, kur papunësia parashikohet të arrijë kulmin e vet.

Trendi më pas do vijë duke u përmirësuar por rimëkëmbja ekonomike nuk do të jetë e mundur pa u gjetur më parë vaksina kundër kovidit.

Ekonomistët gjithashtu janë të shqetësuar për prirjen e konsumatorëve për të shpenzuar si më parë nëse dikur ekonomia do të rihapej plotësisht.

Gjatë nëntë javëve të aplikimit të masave të karantinës, rreth 40 milionë amerikanë humbën vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë.

Një paketë stimulues me vlerë 2 trilionë dollarë do u shpërndahet taksapaguesve dhe bizneseve më të goditura për një periudhë deri 39-javore.

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se edhe sikur vendi të goditet nga një valë e dytë epidemike në muajt që vijnë, ai nuk do e përsëritë më masën e izolimit ekonomik të vendit.

Deri tani në Amerikë koronavirusi ka infektuar mbi 1,6 milionë persona dhe ka vrarë 97 mijë të tjerë.