×
  • Lajme
  • Botë

    Për herë të parë NATO mund të drejtohet nga një grua – Njihuni me tri pretendentet

    Reporteri
    20 Korrik 2021 | 20:32

    Me mbarimin e mandatit të Jens Stoltenberg si kreu i NATO-s në vitin 2022, vendet anëtare të aleancës ushtarake euro-atlantike kanë filluar të kërkojnë pasardhësin e tij në këtë post me rëndësi të veçantë gjeo-strategjike për perëndimin dhe për të gjithë botën.


    Për herë të parë në 72 vitet e aleancës së NATO-s, gjasat janë që një grua të jetë në krye të saj. Për më tepër zërat janë shtuar që gruaja që mund të drejtojë NATO-n duhet të jetë edhe nga lindja, për të njohur më mirë historinë dhe sesi mund të luftohet kundër kërcënimit rus që është sot më aktiv se përgjatë 30 viteve të fundit pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

    Emrat më të përfolur janë ish-presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç, ish-presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite dhe kryeministrja aktuale e Estonisë Kersti Kaljulaid.

    Grabar-Kitaroviç, që shërbeu si kreu i shtetit në Kroaci përgjatë viteve 2015-2020 ka avanzazhin e eksperiencës së punës në përfaqësinë e NATO-s në Bruksel, teksa ka qenë asistente e Sekretarit të Përgjithshëm për Diplomacinë nga viti 2011 deri në 2014-n. Megjithatë të shumtë janë kritikët që nënvizojnë se karriera e saj politike është karakterizuar nga retorika e së djathtës ekstreme, një retorikë që u bë dhe më e ashpër gjatë fushatës elektorale të vitit 2020. Megjithatë, eskperienca e saj si Ministre për Europën dhe Punët e Jashtme në Zagreb, si ambasadore e Kroacisë në SHBA dhe si presidente e bëjnë që të ketë CV-n më të kompletuar për të marrë këtë rol.

    “E kam dashuruar punën time në NATO, si nga pikëpamja e bashkëpunimit ashtu edhe atmosferën”- ka thënë ajo duke iu referuar viteve që punoi në Bruksel.

    Padyshim që SHBA-të, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë shtetet me më shumë influencë në përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm dhe pa aprovimin unanim të tyre, vështirë se mund të përfytyrohet përzgjedhja për postin.

    Duke qenë se 21 nga 30 vendet anëtare të NATO-s janë edhe pjesë e BE-së, ish-shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini po diskutohet si një kandidate e mundshme për postin, por profili i saj në botën anglisht-folëse nuk është aq i lart sa ajo të konsiderohet favorite.

    Ish-presidentja e Lituanisë, Grybauskaite shihet si një kandidate e mundshme për postin, por ekziston frika se ajo mund të jetë shumë e ashpër dhe radikale me Rusinë, në një kohë që administrata Biden kërkon të normalizojë marrëdhëniet me Moskën.

    Nga ana tjetër, kryeministrja e Estonisë është një nga të vetmet lidere që përmbush obligimin e shteteve anëtare për të kontribuar 2% të buxhetit në NATO, një zotim që ndonëse është i formalizuar në letër nuk zbatohet nga shumica dërmuese e anëtarëve.

    Kaljulai së fundmi tentoi të merrte kryesimin e OSBE-së dhe vendosja në krye të NATO-s mund të shihet si kompensim i mundshëm.

    Gjithçka mbetet për t’u vendosur në 6-mujorin e ardhshëm dhe përtej spekullimeve mediatike, mund të ketë dhe emërim më politik si kryeministri aktual i Holandës, Mark Rutte, veçanërisht nëse dështon në formimin e qeverisë së re.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!