Më shumë se 100 fëmijë janë në mesin e mijëra personave të arrestuar në Egjipt si pjesë e përpjekjeve për t’i parandaluar protestat e ardhshme kundër pushtetit të presidentit Abdel Fatah al-Sisi.
Së paku 3100 njerëz janë arrestuar nga data 20 shtator, kur qindra njerëz dolën në rrugë për ta kundërshtuar qeverinë. Lajmin e bëri të ditur Komisioni Egjiptian për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut.
Në anën tjetër, organizata “Amnesty International” ka thënë se së paku 111 fëmijë janë arrestuar gjatë protestave. Sipas kësaj organizate, në mesin e personave të arrestuar ka edhe fëmijë 11 vjeç, ndërsa disa prej tyre janë arrestuar përderisa po shkonin nga shkolla në shtëpi, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Shumë fëmijë u ndaluan nga shërbimet e sigurisë, të cilat ua kontrolluan telefonat për të gjetur përmbajtje politike. Grupet për të drejtat e njeriut e kanë dënuar këtë sjellje të forcave të sigurisë dhe e kanë cilësuar atë si anti-kushtetuese.
Personat e ndaluar po akuzohen për dhënie të ndihmës për një grup terrorist, shpërndarje të informative të rreme, keqpërdorim të rrjeteve sociale dhe pjesëmarrje në protestë të paautorizuar.
Nëse rasti dërgohet në gjykatë, ky do të ishte rasti më i madh kriminal kundër protestuesve në Egjipt.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.