Franca përgatitet t’i lehtësojë masat e izolimit nga e hëna

Franca do ta fillojë lehtësimin e masave të izolimit nga e hëna e 11 majit. Pas tetë javëve në izolim, qeveria ka vendosur ta nisë një proces gradual të lehtësimit të kufizimeve në lirinë e lëvizjes, hapjen e bizneseve dhe të shkollave.


Dallimi më i madh për francezët nga e hëna do të jetë se ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë kërkesë për dalje nga shtëpia. Udhëtimet deri në 100 kilometra nga shtëpia do të jenë të lejuara. Përpos kësaj, autoritetet do t’i lejojnë tubimet me më së shumti 10 persona.

Aktivitetet në mjedis të hapur, siç është vrapimi, nuk do të jenë më të kufizuara në një orë në ditë. Do të rihapen edhe disa plazhe, sipas vendimeve të autoriteteve lokale.

Sipas planit të qeverisë, territori i shtetit do të ndahet në zona të gjelbra dhe në zona të kuqe, varësisht nga treguesit shëndetësorë dhe numri i infektimeve në rajone të caktuara, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Në zonën e kuqe pritet të jetë pjesa verilindore e vendit, pranë kufirit me Gjermaninë dhe Belgjikën, ndërsa pjesa tjetër, që përbën shumicën e territorit, do të cilësohet si zonë e gjelbër.