×
  • Lajme
  • Botë

    Qyteti i Christchurch në Zelandë ishte goditur nga tragjeditë edhe më parë

    Reporteri
    16 Mars 2019 | 13:03

    Dy sulme që ndodhën gjatë ditës së djeshme në dy xhami të qytetit Christchurch të Zelandës së Re tronditën vendin duke lënë të vdekur të paktën 49 njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.


    Por kjo nuk është hera e parë që qyteti bregdetar prej rreth 400,000 banorësh në Zelandën e Re goditet nga tragjeditë, shkruan CNN, transmeton Reporteri.net.

    Mes viteve 2010 dhe 2011, qyteti i tretë më i populluar i vendit u godit nga një sërë tërmetesh. Situata më e rënduar ishte në vitin 2011, kur një tërmet me magnitudë 6.3 shkallë të Rihterit goditi qytetin e Christchurch në mes të ditës – duke rrënuar ndërtesat dhe katedralet.

    Ndonëse Zelanda e Re është mësuar me tërmetet, pak kanë qenë aq shkatërruese sa tërmeti i vitit 2011, që la të vdekur 185 njerëz, plagosi 6,000 të tjerë  dhe dëmtoi 170,000 ndërtesa. Pjesa më e madhe e vdekjeve ndodhën kur një bllok zyresh me gjashtë kate, ndërtesa e televizionit CTV, u rrëzua gjatë tërmetit. Sipas shifrave zyrtare, 115 vetë u vranë në ndërtesën e CTV, 18 vetë vdiqën në ndërtesën e zyrave të PGC, tetë vetë vdiqën në autobusë dhe 28 vetë vdiqën në pjesët tjera qendrore të vendit, ndërsa 12 viktima ishin nga vendet periferike.

    Ndërtesa  e televizionit CTV , ku ndër të tjera ishin të vendosura edhe kompani të tjera,  u bë një nga simbolet e tërmetit  që ndodhi në Christchurch në shkurt të vitit 2011 pasi 115 vetë humbën jetën kur ndërtesa u rrëzua gjatë fatkeqësisë.

    Viktimat ishin me prejardhje nga vende të ndryshme anembanë globit duke përfshirë një grup studentësh që studionin gjuhën angleze  në ndërtesën e CTV, shkruan Reporteri.net. 

    Laura Campbell, dëshmitare e tërmetit shkatërrimtar në atë kohë tha për CNN se ishte në punë kur ndodhi tërmeti. Ajo përshkroi ditën e kobshme duke thënë: “dritaret thyheshin, tullat binin nga çatitë e shtëpive dhe njerëzit vraponin nëpër oborre”. 

    Dëmet nga tërmeti i kushtuan vendit  rreth 20 miliardë dollarë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!