×
  • Lajme
  • Botë

    ‘Roja ishte në gjumë’, gjashtë të burgosur palestinezë arratisen nga burgu përmes një tuneli që e hapën me lugë

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 14:44

    Një hetim fillestar mbi arratisjen e gjashtë të burgosurve palestinezë që dolën përmes një tuneli nga një burg izraelit i sigurisë së lartë, tregon se kamerat e vëzhgimit regjistruan momentin kur burrat dolën nga tuneli, por asnjë nga rojet në dhomën e kontrollit nuk e vuri re.


    Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, një nga rojet në burgun Gilboa, i cili ishte në detyrë në kullën e vrojtimit me pamje nga hapja e tunelit, ishte në gjumë gjatë arratisjes së tyre, thuhet në hetimin e publikuar të martën nga autoritetet e burgut të Izraelit.

    Autoritetet e burgut e kuptuan se ata kishin ikur rreth orës 3:30 të mëngjesit, thuhet në raport.

    Sipas gjetjeve, gjashtë burrat kishin hyrë te banja e qelisë së tyre rreth orës 1:30 të mëngjesit dhe ngritën një objekt që mbulonte një vrimë në dysheme.

    Njëri pas tjetrit, ata u hodhën në vrimë dhe u zvarritën drejt fundit të tunelit ku edhe dolën jashtë, disa metra larg murit të burgut dhe drejtpërdrejtë nën një kullë vrojtimi.

    Autoriteti izraelit i burgjeve ka evakuuar deri më tani 90 të burgosur palestinezë nga gjithsej 360 të mbajtur në Gilboa – një nga objektet më të sigurta të Izraelit. Burgu do t’i nënshtrohet një inspektimi intensiv në ditët në vijim, për tunele të tjera që mund të jenë hapur nga të burgosurit e tjerë.

    Tuneli duket se ishte gërmuar nga poshtë tualetit në qeli, të cilin e kishin ndarë gjashtë burrat – katër prej të cilëve vuanin dënime të shumta të përjetshme, sipas raporteve të mediave lokale.

    Jerusalem Post raportoi se të burgosurit kishin përdorur një lugë të ndryshkur që e kishin fshehur pas një posteri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!