×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA përgatitet të vendosë Vëllazërinë Myslimane në listën e grupeve terroriste

    Reporteri
    01 Maj 2019 | 14:57

    Administrata amerikane e presidentit Donald Trump është në përgatitje dhe synon të cilësojë Vëllazërinë Muslimane si një organizatë terroriste të huaj, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.


    Trump “është konsultuar me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe udhëheqësit në rajon që ndajnë shqetësimin e tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

    “Ky përcaktim është duke avancuar përgjatë një procesi të brendshëm”, tha Sanders.

    Hapi në fjalë do të hapte rrugën për sanksione amerikane ndaj lëvizjes transnacionale, e cila ka mbështetës në të gjithë botën arabe dhe më gjerë.

    Shtëpia e Bardhë më herët ka deklaruar se një veprim i tillë mund të jetë i afërt, duke thënë se Trump është takuar me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi më 9 prill dhe se krerët kanë diskutuar “kërcënimin që përbën Vëllazëria Muslimane”.

    Ende ngelet e paqartë nëse administrata amerikane synon të cilësojë si organizatë terroriste Vëllazërinë Muslimane të Egjiptit, degët e saj në botë ose të gjitha së bashku.

    New York Times njoftoi fillimisht se qeveria amerikane është në procesin e ndërmarrjes së një hapi të tillë. Gazeta amerikane tha se vendimi për futjen e organizatës në listën e zezë erdhi me sugjerim të Sisit gjatë takimit të liderëve në Shtëpinë e Bardhë, një kërkesë kjo ndaj së cilës Trump është përgjigjur pozitivisht.

    Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton kanë shprehur mbështetje për përpjekjet për të cilësuar Vëllazërinë Muslimane si organizatë terroriste, ka shkruar gazeta Times.

    Presidenti i përmbysur egjiptian Mohamed Morsi, i cili kishte mbështetjen e Vëllazërisë Muslimane, fitoi zgjedhjet e para demokratike të Egjiptit në vitin 2012, por u largua nga pushteti nga ana e ushtrisë afërsisht një vit më vonë.

    Sisi ndihmoi në udhëheqjen e grushtit të shtetit që largoi Morsin nga pushteti.

    Përfshirja e organizatës në listën e grupeve terroriste do ta vendoste SHBA-në në krahun e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, shtete këto që kundërshtojnë Vëllazërinë Muslimane.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!