×
  • Lajme
  • Botë

    Si sot 28 vite më parë në Palermo, mafia vrau Xhovani Falkonen

    Reporteri
    23 Maj 2020 | 15:00

    Giovanni Falcone padyshim është një prej atyre që e ka të skalitur emrin e tij në Drejtësinë Italiane.


    Eshtë një prej atyre njerëzve të Drejtësisë që nuk do të harrohet kurrë jo vetëm në Italinë fqinje, por edhe në Shqipëri, apo gjetkë.

    Si sot 28 vjet më parë, Falcone u ekzekutua në mënyrën më kriminale të mundshme, me një taktikë mafioze që rrallë mendohej në ato vite. Plot 572 kilogramë eksploziv u përdorën përgjatë rrugës në të cilën do të kalonte Prokurori Italian i Antimafias.

    Falcone u vra bashkë me gruan e tij Francesca Morvillo dhe tre policët që e shoqëronin: Roço di Cillo, Antonio Montinaro, Vito Schifani në Capaci, në autostradën që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Palermos me qytetin e Palermos, më 23 maj 1992.

    Makina me të cilën po udhëtonin u hodh në ajër nga një bombë, e cila përmbante 572 kg eksploziv të vendosur në një pjesë të gërmuar thellë në anët e rrugës. Vrasja ishte organizuar nga Salvatore Riina si hakmarrje për dënimet e qindra gangsterëve që kishte firmosur Falcone gjatë “Gjurmëve të Mëdha”. Ndër masat më të rrepta të antimafias pasuese për vrasjen e Falcone dhe Borsellino, ishte edhe arrestimi i Riinas. Një mafioz tjetër i dënuar për vrasjen e Falcones ishte Giovanni Brusca një nga shoqëruesit e Riinas, i cili dëshmoi se ishte personi, i cili kishte komanduar shpërthimin.

    Drejtësia është e barabartë për të gjithë! Kjo fjali e shkruar në çdo sallë gjyqi, apo institucion shqiptar e të huaj mbart dilemën shumëvjeçare, nëse ka ndodhur apo jo kështu! Jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Falcone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Për sa mund të bënte një njeri, ai ka luftuar sy për sy e ballë për ballë, me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafies dhe sot konsiderohet me plot kuptimin e fjalës simboli i luftëtarit pa kompromis, një histori që nuk duhet harruar.

    Për fat të keq në Shqipëri, Drejtësia ka çeduar jo pak. Aq sa shpresat e njerëzve tek sistemi i Drejtësisë janë lënë në nisje të dekadës së tretë të pluralizmit politik edhe pse ka ende skepticizëm, nëse do të jetë apo jo në nivelin e duhur dhe mbi të gjitha në pritshmëritë e publikut.

    Por, për Drejtësinë e dëshiruar nga shqiptarët, e gjitha vëmendja vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e kanë mision Drejtësinë në Shqipëri. Për krahasim do të vlente ajo që ka ndodhur vite më parë në Italinë fqinje.

    Drejtësia në atë vend, ku tashmë jetojnë edhe mijëra shqiptarë nisi më së shumti në 23 maj të vitit 1992 në Siçili, menjëherë pas ekzekutimit të gjykatësit italian të antimafias, Giovanni Falcone. Miku dhe kolegu i tij, Paolo Borsellino do të vritej dy muaj më vonë, duke e bërë vitin 1992 një pikë kthese në ndjekjen penale të mafias italiane.

    Kthesë, që e futi Drejtësinë italiane në shinat e duhura. Dhe ku shembulli ishte praktika “falconiane” e të penduarve të Drejtësisë, praktikë që edhe SPAK-u shqiptar kërkon ta përdorë si metodë dhe e ka implementuar deri më tani në dy çështje droge. Krimet monstruoze të mafias italiane përfshirë edhe krimin me karakter ekonomik, e ku ishin përfshirë shumë banka, kanë ngjashmëri si “dy pika uji” me atë çfarë ka ndodhur ndër vite në Shqipëri.

    Pikërisht në këtë leksion të Giovanni Falcone se hetimi mbi krimet dhe veprimtarinë e strukturave mafioze duhet shoqëruar me hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka është bazuar edhe Shqipëria, e cila e ka përfshirë këtë procedurë hetimi përmes një pakete ligjore të mirëfilltë që mori miratimin nga Qeveria.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!