Skandali seksual alarmon vendin: Diplomatët i kërkuan sekretares të organizonte orgji

Një rast skandali seksual me diplomatë është zbuluar pas dëshmisë së një asistenteje personale në ambasadë. Ngjarja ka ndodhur në Londër në ambasadën e Katarit. 58-vjeçarja Deanne Kingson ka dëshmuar në gjykatë të gjitha presionet që i bënin dhe favoret seksuale që i kërkonin diplomatë të ambasadës së Katarit në Britani. 58-vjeçarja është dëmshpërblyer nga gjykata me 390 mijë Paund për dëmin që i është shkaktuar. Gjykatësi tha se Deanne Kingson është viktimë e diskriminimit seksual.


Në gjykatë u dëgjua dëshmia e saj kur tha se ambasadori ekzekutiv i Katarit në Londër, Fahed Al-Mushairi, kërkonte vazhdimisht të kryente marrëdhënie me 58-vjeçaren saqë e ftonte rregullisht për darkë në apartamentin e tij. Ajo tregoi se ambasadori i shprehte vazhdimisht dëshirat e tij seksuale, për të cilat ajo tha se ishin poshtëruese. Por, pasi znj.Kingson refuzoi kërkesat e tij, ambasadori ktheu vëmendjen nga vajza 19-vjeçare e saj.

Kjo situatë ka vazhduar për 4 vite, raportojnë mediat angleze, të cilat shkruajnë se ambasadori Al-Mushairi i kërkonte 58-vjeçares që të merrte vajzën e saj për udhëtime në Paris dhe t’i blente gjithçka që dëshironte. Madje ai i kishte sugjeruar dhe kërkuar që të martohej me vajzën adoleshente të asistentes së tij, në mënyrë që të kryenin marrëdhënie pa shkelur ligjin e rreptë islamik.

Deanne Kingson i tregoi gjykatës edhe presionet që i bënte një diplomat tjetër i quajtur Ali Al Harjri, i cili i kërkonte asaj që të organizonte orgji seksuale, madje i kishte kërkuar që të shkonin bashkë për pushime në Kubë.

58-vjeçarja ka punuar si asistente në ambasadën e Katarit në Londër nga Korriku 2006 deri në Qershor të vitit 2014. Ajo u shpreh se ishte e frikësuar që të tregonte presionet që i bëheshin pasi kërcënohej vazhdimisht, përpara se të pushohej nga puna në vitin 2014, madje pa marrë as pagesat që i takonin.

Ajo është nënë beqare e dy fëmijëve dhe nuk donte të humbiste punën, e për këtë arsye ishte detyruar të qëndronte në heshtje. Gjykatësi tha se 58-vjeçarja kishte rënë në depresion të thellë, aq sa kishte menduar edhe vetëvrasjen.

“Mësova se zonjës i ishte shkelur dinjiteti dhe ishte ofenduar e fyer gjatë gjithë kohës që ishte në punë”, tha gjykatësi i çështjes, i cili vendosi dëmshpërblim 390 mijë Paund për 58-vjeçaren, duke përfshirë edhe të ardhurat e papaguara nga ambasada e Katarit pas shkarkimit nga puna.

Qeveria e Katarit nuk ishte e përfshirë në këtë proces gjyqësor, veprim që gjyqtari e konsideroi të “papranueshëm” duke thënë se duhet të paguanin kostot ligjore. Skandalet seksuale u zbuluan pas nisjes së këtij procesi gjyqësor nga vetë e dëmtuara për shkarkim të padrejtë nga puna. /tvklan.al