×
  • Lajme
  • Botë

    Suedia që e sfidonte coronavirusin detyrohet t’i mbyll shkollat e mesme

    Reporteri
    04 Dhjetor 2020 | 10:49

    Suedia ka vendosur që nga e hëna t’i mbyllë shkollat e mesme për një muaj pasi në dy ditët e fundit regjistroi 209 të vdekur nga koronavirusi.


    Shteti skandinav që në fazën e parë të pandemisë u bë i njohur për qasjen pa izolim në pandemi tani po përballet me rritje të numrit të infeksioneve, përtej parashikimit zyrtar.

    Agjencia e Shëndetit Publik ka thënë se pret që kulmi i valës së dytë të arrihet në mesin e dhjetorit, ndërsa të enjten shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në mbi 7 mijë.

    Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, gjatë një konference për gazetarë tha se mbyllja e shkollave të mesme do të ndihmojë për ngadalësimin e përhapjes së virusit, shkruan Daily Mail.

    “Do të duhet të ndërrohet mënyra se si edukohemi. E kuptoj plotësisht se kjo nuk është e lehtë, por në situatën e tanishme, është e nevojshme”, tha ai.

    Lofven gjithashtu u bëri thirrje nxënësve që të mos kenë kontakte me nxënësit tjerë gjatë qëndrimit larg shkollës. “Unë besoj që ju jeni të zgjuar dhe e kuptoni se ky nuk është një pushim i zgjatur i Krishtlindjes. Nuk është dritë e gjelbër për ndeja me miq”, shtoi ai.

    Pas një rënieje të rasteve fatale në verë, Suedia në javët e fundit i ka regjistruar nivelet më të larta të vdekjeve, me një mesatare prej 60 të vdekurve në ditë këtë javë.

    Sidoqoftë, kjo shifër është më e vogël se niveli i prillit, kur mesatarja ditore e viktimave të koronavirusit ishte 100.

    Kujtojmë se në mars kur edhe filloi përhapja e madhe e pandemisë, ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, Suedia veproi krejt ndryshe, shkruan Reporteri.net.

    Atje, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare kanë vazhduar të shkojnë në shkollë. Dyqanet, restorantet dhe kafiteritë mbetën të hapura, ani pse nuk lejohej që konsumatorët t’i bënin porositë në banak, por vetëm të shërbeheshin në tavolinë.
    Madje, nëpër rrugë ishte e vështirë të shihje dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse.

    Rekomandimi më i ashpër nga Qeveria suedeze ishte që qytetarët t’i shmangnin udhëtimet jo të domosodshme dhe u kishin nisur këshillë shoqërore personave mbi 70-vjeç që të qëndrojnë në shtëpi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!