Terroristi Brenton Tarrant para gjyqit: Akuzohet për 50 vrasje dhe 39 akuza për vrasje në tentativë

Terroristi Brenton Tarant, i akuzuar për vrasjen e 50 besimtarëve myslimanë në dy xhami në qytetin e Christchurch të Zelandës së Re, përballet me 50 akuza për vrasje dhe 39 akuza për vrasje në tentativë.


“Pikat e tjera të aktakuzës ende po shqyrtohen”, njoftoi sot policia zelandeze, transmeton Reporteri.net.

Kujtojmë se Tarrant, 28-vjeçar, hyri në xhaminë Al Nur më 15 mars në orën 13.30 gjatë lutjeve të së premtes duke hedhur breshëri plumbash mbi besimtarët. Ai bëri më shumë se 100 të shtëna vetëm brenda xhamisë.

Ai kishte të paktën gjashtë pushkë me vete. Sulmuesi pastaj kaloi në xhaminë e ardhshme, në periferi të Linwood, ku vazhdoi masakrën e tij.

Tarrant u arrestua 36 minuta pas sulmit të parë në një automjet në të cilin, sipas policisë, ka pasur pajisje të improvizuara shpërthyese. Sulmi i 15 marsit ishte vrasja më e madhe në masë që një person kishte kryer ndonjëherë  në Zelandën e Re. Tarrant u akuzua fillimisht  për vetëm një vrasje pas sulmit dhe u kthye në paraburgim pa u deklaruar fajtor. Pretendohet se Tarrant do të paraqitet para gjykatës më 5 prill. /Reporteri.net