×
  • Lajme
  • Botë

    Vaksinat në SHBA, Biden: Deri në fund të majit mund ta marrin të gjithë

    Reporteri
    03 Mars 2021 | 13:52

    Shtetet e Bashkuara do të kenë mjaftueshëm vaksina për të imunizuar çdo person të rritur deri në fund të majit, sipas presidentit Joe Biden.


    Më herët ishte përmendur korriku si afat, por kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkon intensifikim të fushatës dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të marrë vaksinën.

    “Gati 3 javë më parë ne thamë se do të kishim vaskina të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë personat e rritur deri në fund të muajit korrik. Jam i lumtur të njoftoj sot se si pasojë e intensifikimit të procesit, ky vend do të ketë mjaftueshëm vaksina për çdo amerikan të rritur deri në fund të majit, ky është një progres i rëndësishëm”, deklaroi Biden.

    Biden tha se prodhuesi Merck që braktisi përpjekjet për krijimin e vaksinës së vet këtë vit, do të ndihmojë Johnson and Johnson të prodhojë vaksinën me një dozë. Megjithatë, presidenti amerikan paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë vigjilentë pasi lufta është ende larg fundit me variantet e reja në qarkullim.

    Deklarata e tij bie ndesh me pozicionin e disa shteteve të cilat po lehtësojnë masat për të shpëtuar ekonominë. Edhe pse ka pasur rënie të konsiderueshme në rastet e konfirmuara që prej fillimit të vitit, një rritje e vërejtur kohët e fundit ka nxitur frikën për një valë të katërt infektimesh.

    Mbi 76 milionë doza të vaksinës janë injektuar deri më tani, që mbulojnë 15.3 për qind të popullsisë dhe Shtetet e Bashkuara duket se janë drejt përmbushjes së premtimit të Biden për kryerjen e 100 milionë vaksinimeve në 100 ditët e tij të para në detyrë.

    Mesatarisht 1.74 milionë doza injektohen çdo ditë. Një tjetër premtim i rëndësishëm i Biden ishte ai për t’i dhënë çdo mësuesi të paktën një dozë vaksine, deri në fund të marsit e për të rihapur shpejt shkollat.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!