Pavarësisht faktit që dhjetëra adoleshentë po bëhen milionerë falë tyre – çuditërisht ka ende njerëz që nuk e dinë çfarë janë NFT-të!
Atëherë, çfarë janë NFT-të?
NFT: [en-ef-ti]
Përkufizimi: (n.) Non-fungible token
Shqip: Njësi e pa-këmbyeshme
Akronimi NFT, i cili ka marrë famë në botën financiare po aq sa edhe në skenën artistike, do të thotë non-fungible token ose në gjuhën shqipe, njësi e pakëmbyeshme.
Që do të thotë?
Ndryshe nga Eurot, Dollarët apo edhe Bitcoin-ët – të cilët këmbehen njëri me tjetrin – një NFT-të nuk këmbehet dot për një tjetër NFT.
Ende s’është e qartë…
Këto ‘njësi’ janë digjitale dhe ruhen në të njëjtin sistem si Bitcoin – që njihet me emrin ‘Blockchain’ – dhe ato mund të përfaqësojnë çdo lloj forme të dhënash si një foto, një këngë, një pikturë apo edhe një video.
Për shkak të këtyre karakteristikave, ato shpesh krahasohen me veprat e artit – me diferencën e vetme që ndodhen vetëm online apo në botën digjitale.
Ku mund të blihen NFT-të?
Njësoj si bursat e kriptovalutave si Coinbase apo Binance, NFT-të mund të blihen në tregjet e tyre online si OpenSea, Rarible apo Nifty Gateway etj.
Dhe njësoj si kriptovalutat ato ruhen në çelësa apo kuleta digjitale.
NFT-ja më e shtrenjtë?
Mijëra NFT shiten çdo ditë. Njësoj si në rastin e ankandeve të veprave tradicionale, sa më e rrallë të jetë vepra, aq më i lartë çmimi.
Një koleksion prej 10,000 veprash nga Cryptopunks sapo është shitur për €472 milionë euro. Këto lloj shifrash marramendëse dëshmojnë potencialin e shitjeve të NFT-ve në të ardhmen jo-dhe-aq të largët.
Cilët janë disa shembuj të NFT-ve më të suksesshme?
Jaiden Stipp është një 15-vjeçar nga Washington i cili krijojë veprën e tij të parë të artit digjital në shkurt 2021: një skelet hibrid astronauti duke ja bërë hënës me dorë!
Sot, ai është një artist i NFT-ve që e shet një vepër mesatarisht $30,000 dollarë dhe pasuria e tij i ka kaluar $1 000 000 dollarët!
Disa shembuj të tjerë janë: Crypto Kitties, Bored Ape, Sorare, etj.
Pse quhen e ‘ardhmja e internetit’?
NFT-të janë njësi unike digjitale të cilat përfaqësojnë ose certifikojnë një aset digjital.
Këto njësi nuk mund të kopjohen, zëvendësohen apo të ndahen në pjesë të veçanta, dhe ato ruhen në një arkivë apo regjistër digjital tejet të sigurt siç është blockchain.
Me anë të këtyre ‘njësive’, një vepër arti digjitale apo edhe thjesht një foto kthehet në një vepër autentike, që ka një autorësi dhe detyrimisht edhe një autor.
Për krijuesit ky është një lajm tejet i mirë. Tashmë, veprat e tyre mund të mbrohen, të licencohen dhe ata të paguhen sa herë që kjo vepër përdoret, në vend që ajo të kopjohet dhe të përdoret pambarimisht siç ndodh rëndomë.
Kjo mund të jetë e ardhmja jo shumë e largët e internetit. Dhe njerëzit kanë nisur që tani, të investojnë miliona dollarë për një NFT të vetme.
Si pastrohen paratë me anë të veprave të artit?
Tregtia e veprave të artit ka qenë prej kohësh nën monitorimin e departamentit të krimit financiar në SHBA.
Shumë më parë se të ekzistonin NFT-të, veprat e artit janë përdorur si një mënyrë mjaft e mirë për të ‘depozituar diçka me vlerë’.
Ndryshe nga asetet e tjera si aksionet apo floriri, vlera e veprave të artit mbetet tejet subjektive dhe nuk vendoset nga tregu.
Piktura nga artistë të famshëm shpesh vlerësohen me çmime miliona dollarëshe.
Si pasojë, pikturat janë perfekte për të ruajtur, lëvizur dhe shkëmbyer vlera të mëdha parash në një mënyrë tejet kompakte dhe të pagjurmueshme.
Si pastrohen paratë me NFT?
NFT-të janë praktikisht vepra arti digjitale. Për këtë arsye, ato kanë disa nga të njëjtat karakteristika si veprat e artit konvencionale.
Gjithashtu, NFT-të vijnë me një tjetër benefit që është të qenurit tërësisht digjitale, duke i bërë ato më të thjeshta për t’u tregtuar – në krahasim me telajot relativisht të mëdha të pikturave fizike.
Njësoj si kriptovalutat, një NFT mund të transferohet nga kuleta digjitale e dikujt tek kuleta e dikujt tjetër, për punë sekondash.
Por karakteristika më e rëndësishme që i bën NFT-të kaq atraktive për pastruesit e parave, janë çmimet e paqëndrueshme!
Në një kohë kur vlera e Bitcoin-it apo dollarit ndjek ndryshimet në bursë dhe parimin bazë të ‘kërkesës dhe ofertës’ – çmimi i NFT-vë është jashtëzakonisht spekulativ.
Në praktikë, një NFT e blerë për 1 euro mund të shitet për 1 milionë euro brenda të njëjtës ditë.
Kjo është ajo që i bën NFT-të kaq tërheqëse për tregun e zi.
Për këtë arsye, sipas Departamentit të Krimit Financiar në SHBA, ‘Tregu i ri Digjital i Veprave të Artit’ përfaqëson një kërcënim real ndaj potencialit të pastrimit të parave me një vështirësi të jashtëzakonshme për t’u gjurmuar.
Ndërkohë, diçka që ndihmon në rritjen e kredibilitetit por dhe të famës së NFT-ve është blerja e tyre nga disa prej artistëve më të famshëm në botë si Eminem, Snoop Dogg, Paris Hilton, Justin Bieber, Heidi Klum dhe lista vazhdon.
Kjo industri e re e cila kombinon teknologjinë dhe artin, ka pësuar një rritje marramendëse duke kapur shifrën e €9.4 miliardë eurove vetëm gjatë çerekut të fundit të vitit 2021.
Mbetet për t’u parë se çfarë ka në plan 2022-shi për botën e NFT-ve!/Euronews,al