Disa nga ndryshimet në dizajnin e modelit iPhone 17 Pro janë përfolur prej kohësh, por vetëm tani kemi një ide të qartë. Ndryshimet përfshijnë madhësinë e kamerës që shtrihet në të gjithë gjatësinë e pjesës së sipërme të pajisjes. Po ashtu, skaneri LiDAR dhe flash-i do të zhvendosen në anën e djathtë të kësaj.
Gjithashtu, pritet që pajisja të ketë një kornizë prej alumini, e cila do të rrethojë dizajnin e ri të kamerës, ngjashëm me iPad Pro. Për të mundësuar karikimin pa kabëll (wireless), në pjesën poshtë bllokut të kamerës do të ketë një segment prej xhami brenda kornizës së aluminit.
Së fundmi është zbuluar se logoja e Apple-it pritet të zhvendoset në qendër të këtij segmenti prej xhami. Kjo do të thotë se logoja do të ndodhet më poshtë se zakonisht, në raport me lartësinë totale të pajisjes.
Ky ndryshim ndikon edhe në pamjen e aksesorëve MagSafe, pasi rrethi magnetik në mbulesat transparente do ta mbulonte logon. Për ta zgjidhur këtë, Apple duket se do të ridizajnojë rrethin magnetik të MagSafe duke krijuar një hapësirë në pjesën e sipërme, në mënyrë që logoja të mbetet e dukshme.
Renderi më i fundit, i publikuar nga llogaria e njohur “Majin Bu”, tregon modelin iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max me mbulesa transparente, duke ilustruar se si Apple planifikon të ndryshojë dizajnin e magnetëve të MagSafe për të bërë të dukshme logon e zhvendosur në qendër të segmentit prej xhami.
iPhone 17 Pro dhe iPhone 17 Pro Max pritet të lançohen në vjeshtë, me përmirësime që përfshijnë një kamerë telefoto 48 megapikselë, një kamerë të përparme 24 megapikselë dhe çipin e ri A19 Pro.