Shumica e amerikanëve besojnë se Kina e përdor rrjetin TikTok për të ushtruar ndikim tek opinioni publik në Shtetet e Bashkuara, sipas një sondazhi nga Reuters/Ipsos. Anketa u zhvillua ndërsa Uashingtoni shton përpjekjet për të ndaluar rrjetin social në pronësi kineze.
Rreth 58% e të anketuarve në sondazhin dyditor, i cili u mbyll të martën, bien dakord me deklaratën se qeveria kineze e përdor rrjetin TikTok, në pronësi të firmës kineze ByteDance, për të “ndikuar tek opinioni publik amerikan”. Rreth 13% nuk ishin dakord, dhe pjesa tjetër ishin të pasigurt ose nuk iu përgjigjën pyetjes.
Mbështetësit republikanë kishin më shumë gjasa sesa demokratët që ta shihnin aplikacionin TikTok si vegël të qeverisë kineze për të ndikuar tek opinioni publik amerikan.
Rrjeti TikTok thotë se ka shpenzuar më shumë se 1.5 miliardë dollarë për sigurinë e të dhënave dhe nuk do t’i ndajë me qeverinë kineze të dhënat e 170 milionë përdoruesve amerikanë.
Vitin e kaluar, drejtuesit e rrjetit TikTok i thanë Kongresit amerikan se “nuk promovojnë ose heqin përmbajtje me kërkesë të qeverisë kineze”. Rrjeti TikTok nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Presidenti Joe Biden nënshkroi javën e kaluar një ligj që i jep firmës ByteDance një afat prej 270 ditësh për ta shitur degën e rrjetit që mbulon Shtetet e Bashkuara ose do të përballet me bllokim.
Drejtuesit e rrjetit TikTok janë zotuar ta kundërshtojë ndalimin si një shkelje të mbrojtjes së shprehjes së lirë të parashikuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, edhe përdoruesit e rrjetit TikTok pritet të ndërmarrin veprime ligjore.
Në nëntor, një gjykatës në shtetin Montana pezulloi ndalimin e rrjetit TikTok në atë shtet, duke përmendur shqetësimet për lirinë e shprehjes.
Sondazhi nga Reuters/Ipsos gjeti se 50% e amerikanëve e mbështesin ndalimin e rrjetit TikTok, ndërsa 32% e kundërshtojnë ndalimin, dhe se pjesa tjetër ishin të pasigurt.
Sondazhi nuk pasqyron pikëpamjet e grupmoshës nën 18 vjeç, që përbëjnë pjesën më të konsiderueshme të përdoruesve të rrjetit TikTok në Shtetet e Bashkuara. Rreth gjashtë nga 10 të anketuar të moshës 40 vjeç e lart e mbështesin ndalimin, krahasuar me rreth katër në 10 të anketuar të moshës 18-39 vjeç.
Sondazhi tregon se 46% e amerikanëve pajtohen me një deklaratë se Kina po e përdor aplikacionin për të “spiunuar në jetën e përditshme të amerikanëve”, një pretendim që Pekini e ka mohuar.
Rrjeti TikTok përdoret gjerësisht në Shtetet e Bashkuara. Drejtuesit e fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Biden po e përdorin atë si një mjet për të tërhequr votuesit përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.
Rivali i Presidentit Biden, republikani Donald Trump, i cili e ka kritikuar një ndalim të mundshëm dhe është pronari kryesor i kompanisë që operon aplikacionin e tij të mediave sociale Truth Social, nuk ka llogari në rrjetin TikTok.
Shumica e amerikanëve, 60%, thanë se është e papërshtatshme që kandidatët amerikanë ta përdorin rrjetin TikTok për të promovuar fushatat e tyre.
Ligji i nënshkruar nga Presidenti Biden cakton 19 janarin si ditën e fundit për shitjen e degës që mbulon Amerikën, një ditë përpara përfundimit të mandatit të tij. Por ai mund ta shtyjë afatin me tre muaj nëse përcakton se firma ByteDance po bën përparime në shitjen e filialit amerikan.
Në sondazhin e zhvilluar në internet morën pjesë 1022 amerikanë të rritur nga mbarë vendi. Mundësia e gabimit llogaritet të jetë rreth 3 për qind./Zëri i Amerikës