×
  • Extra
  • Tech&Auto

    “Squid Game” iu bën thirrje publike shikuesve: Ju lutem mos telefononi në numrin që iu shfaqet në serial

    Reporteri
    08 Tetor 2021 | 19:46

    Platforma Netflix ka treguar se do të redaktojë skenat e serialit të tij të suksesshëm “Squid Game”, pasi një numër i madh shikuesish filluan të telefonojnë një numër telefoni që shfaqet në serial – e që në fakt është një numër rastësor që i përket një zonje të thjeshtë.

    Seriali korean sjell në vëmendje qindra njerëz që po përjetojnë mjerimin e shkatërrimit financiar, të ftuar në një vend të pazbuluar ku luajnë lojëra të fëmijërisë në një përpjekje për të fituar një çmim miliarda dollarësh. Rregullat janë të qarta: Nëse humbet, vdes.

    Kur personazhi i quajtur Gi-Hun merr një kartëvizitë për të shkuar te loja vdekjeprurëse, aty shfaqet një numër telefoni tetë-shifror. Ky numër, megjithatë, ndodh që i përket një gruaje nga Koreja e Jugut, e cila thotë se është bombarduar me thirrje dhe mesazhe nga të huajt që nga dita e parë kur u transmetua seriali.

    “Unë kam marrë pa pushim telefonata dhe mesazhe 24/7 deri në atë pikë ku jeta ime e përditshme është bërë e vështirë”, tha Kim Gil-Young, një pronare e një dyqani të ëmbëlsirave që e ka përdorur atë numër për më shumë se 10 vjet.

    Ajo shpjegoi se vërshimi i thirrjeve gjatë ditës dhe natës po e mbaronte baterinë e saj të celularit.

    “Më është dashur të fshij më shumë se 4,000 numra”, tha ajo, duke shtuar se ajo ishte “mjaft e befasuar” nga e gjithë përvoja, e cila ka rezultuar në disa njerëz që e shajnë atë në telefon dhe të tjerët i tregojnë asaj për problemet e tyre financiare.

    “Po përpiqem të marr pjesë në ‘Squid Game’, a është e mundur?”, shkruhet në disa prej mesazheve që i janë dërguar asaj.

    Netflix tha të mërkurën: “Së bashku me kompaninë e prodhimit, ne po punojmë për të zgjidhur këtë çështje, përfshirë redaktimin e skenave me numrat e telefonit aty ku është e nevojshme”.

    Të tjerët që ndajnë numra të ngjashëm telefoni gjithashtu kanë përjetuar të njëjtat probleme si gruaja nga Qarku Seongju në provincën Gyeongsang të Koresë së Jugut.

    Një grua, numri personal i së cilës është vetëm dy shifra i ndryshëm nga ai i treguar në seri, i tha Wall Street Journal se kishte marrë telefonata të rastësishme që nga fillimi i serialit – disa nga Kolumbia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!