×
  • Extra
  • -->
    Extra

    Tmerret në burgjet e Koresë së Veriut, 1 në 4 të dënuar, nuk dalin të gjallë prej andej

    Reporteri
    24 Nëntor 2021 | 18:23

    Koreja e Veriut, ka një histori të zymtë të burgosjes së të huajve si dhe të qytetarëve. Organizata “Freedom House” e rendit Korenë e Veriut, si një nga regjimet më represive në botë.

    Ndërkohë sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, vendi komunist ka 6 lloje objektesh të paraburgimit:kwanliso (kampet e punës ku futen të dënuarit politikë), kyohwaso (qendra e riedukimit), kyoyangso (qendra e reformës së punës), jipkyulso (qendra grumbullimi për kriminelët e nivelit të ulët), rodong danryeondae (qendrat e trajnimit për punë) dhe kuryujang ose kamok (vendet e marrjes në pyetje).

    Ky sistem penal me shumë nivele është përshkruar si “gulag” nga revista “Time”, duke iu referuar kampeve gulag të Bashkimit Sovjetik, që vranë midis 1.2 deri në 1.7 milion njerëz gjatë viteve 1918-1956. Komiteti për të Drejtat e Njeriut në Korenë e Veriut, bëri një paralele të ngjashme në raportin e tij me titull “Gulagu i fshehur”.

    Komiteti thotë se sistemi penal i Koresë së Veriut, shkel të paktën 13 nene të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Kushtet në burgjet koreano-veriore janë aq të tmerrshme saqë Instituti Asan për Studime Politike, vlerëson se shkalla e vdekshmërisë atje është mbi 25 për qind.

    Sipas raportit në fjalë, të burgosurit janë viktima të “paraburgimit arbitrar”, që përfshin dënime që nuk kanë asnjë lidhje me kushtetutën apo sistemin gjyqësor. Pra dënimi jepet sipas gjykimit personal mbi të burgosurit. Për shembull në vitin 2014, Lim Ok Kyung u arrestua për kontrabandë pajisjesh kineze.

    Ajo e përshkroi kështu trajtimin e saj për Human Rights Watch:”Në fillim, ata më thanë të shkruaja gjithçka mbi veten time, gjithçka që nga momenti i lindjes sime e deri më sot. Ndaj u detyrova të shkruaja të gjithë historinë time për orë të tëra”.

    Më pas, Kyung u akuzua se kishte gënjyer në deklaratën e saj, ndaj iu nënshtrua rrahjeve të vazhdueshme. “Disa roje që kalonin aty më goditnin me duar ose me shkelma… Për pesë 5 rresht më detyruan të qëndroja në këmbë dhe nuk më lanë të flija”.

    Sado i egër që ishte trajtimi ndaj Kyung, përvojat e viktimave të tjera kanë qenë edhe më makabre. “Gulagu i fshehur” raporton se disa të dyshuar janë arrestuar për shkak të “mendimeve të gabuara”, dhe ndonjëherë akuzohen për “njohuri të gabuara”.

    Nëse një qytetar akuzohet për këto “krime”, ai dërgohet në një kamp pune pa asnjë proces gjyqësor, qoftë edhe formal. Dënimet për këto “krime” ideologjike të pabaza, janë zakonisht me burgim të përjetshëm. Një shembull i tipik ndodhi në fund të viteve 1980, kur koreano-veriorët që studionin në Evropën Lindore, u thirrën me urgjence në shtëpi gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik.

    Kur u kthyen, shumë prej tyre u burgosën, për t’i ndaluar që të përhapnin njohuritë e tyre mbi socializmin. Por regjimi komunist ka viktimizuar edhe disa shtetas të huaj. Shembulli më famëkeq është ai i Oto Uormbier, një student 22-vjeçar që vizitoi vendin komunist nëpërmjet një grupi turistësh më 29 dhjetor 2015.

    Dy ditë më vonë, më 2 janar 2016, Uormbier u arrestua në aeroportin e Phenianit. Regjimi e njoftoi arrestimin e tij vetëm 20 ditë më vonë, duke deklaruar se i riu amerikan po mbahej nën arrest për “veprimtari kundër republikës”. Më 29 shkurt, Uormbier u detyrua të pranonte se kishte vjedhur një parullë propagandistike nga hoteli i tij, për të cilën u dënua me 15 vjet burg dhe punë të rëndë në kamp.

    Në “rrëfimin” e tij të dyshimtë, Uormbier tha se ai kishte vjedhur parullën për Kishën Metodiste të Miqësisë së Bashkuar, e cila i ofroi atij në këmbim një makinë me vlerë 10.000 dollarë. Në qershorin e vitit 2017, pra rreth 16 muaj më vonë, administrata Trump mësoi se Uormbier ishte pa ndjenja.

    Ndaj Uashingtoni dërgoi një mision diplomatik për ta zgjidhur këtë çështje. Më 13 qershor, Uormbier u arrit të evakuohej në Saporo të Japonisë, dhe prej andej në Sinsinati të Ohajos, ku e prisnin në ankth prindërit e tij Fred dhe Sindi. Por në fakt Uormbier kishte rënë në koma prej një viti.

    22-vjeçari vdiq 6 ditë më vonë më 19 qershor 2017. Se çfarë torturash përjetoi Uormbier në Korenë e Veriut, kjo mund të mos merret vesh kurrë. Pheniani fajësoi për vdekjen e tij botulizmin, dhe një reagim negativ ndaj një pilule gjumi. Por kjo u hodh poshtë nga autoritetet amerikane.

    I ati i Uormbier, Fredi, ishte i bindur se djali i tij ishte torturuar. Ai përmendi faktin se dhëmbët e tij të drejtë ishin shtrembëruar, dhe se në këmbë kishte shenjën e një plage të madhe. Pak kohë më parë BBC raportoi se në burgjet e Koresë së Veriut gjenden aktualisht 80.000-120,000 njerëz.

    Një raport i OKB-së i korrikut të këtij viti, përshkruante shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut. Raporti bazohej në shumë dëshmi. Kështu një grua rrëfeu se ishte goditur me dru të ndezur:”Lëkura e fytyrës m’u hap, mjekra m’u zhvendos dhe humba 4 dhëmbë”.

    Një tjetër grua tha: ”Disa të burgosurve iu kërkohej të vendosnin kokat e tyre në hekurat e qelisë, dhe rojet do të na rrihnin me shkop…Ne ishim njësoj si thasët e grushtimit në boks…”

    Ndëshkimet e tjera janë më pak të “dhunshme”. Për shembull, një qeli me 12 të burgosur u detyrua të bënin 1000 pompa, vetëm njëri prej tyre kishte gërhitur. Të burgosurit më të rinj mundën ta kalonin këtë test mizor, por të moshuarve thuhet se “u ra të fikët në vend”.

    Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kushtet në burgjet e Koresë së Veriut janë “kërcënuese për jetën” për shkak të kushteve të këqija higjienike, kujdesit të kufizuar mjekësor, mbipopullimit të konsiderueshëm dhe ushqimit të pakët.

    Një i burgosur në një kampi pune dëshmon:”Ne ushqeheshim vetëm me miell misri, rreth 100 gramë, 3 herë në ditë”. Racioni ushqimor ishte aq i paktë, sa si të burgosurit ashtu edhe gardianët mbështeteshin tek vizitat e anëtarëve të familjes për të plotësuar nevojat e tyre. Raporti “Gulagu i fshehur”, zbuloi se të burgosurit detyrohen të hanë çdo gjë që mund të gjejnë, bar, lëvore pemësh, minjtë, gjarpërinj dhe ushqimet e kafshëve.

    Sipas Go Myong-Hyun nga Instituti Asan për Studimet e Politikave “8 në 10 të burgosur koreano-veriorë vuanin nga para vdekjes nga kequshqyerja”. Të burgosurit i nënshtrohen punës së rëndë fizike 12 orë në ditë, 7 ditë në javë. Atyre u lejohet vetëm 1 ditë pushimi në muaj, si dhe në 3 festa kombëtare, të cilat janë dita e Vitit të Ri dhe ditëlindjet e Kim Il-sung dhe Kim Jong-Il.

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!