Imagjinoni këtë skenar: jeni të parkuar nën diell, termometri tregon +35 gradë, dhe sapo hapni derën e veturës – një valë përvëluese ju godet si furrë buke. Timoni nuk mund të preket pa një leckë, sedilja ju “ngjitet” pas trupit, ndërsa ajri është aq i rëndë, sa keni përshtypjen se po thithni avull nga një tenxhere me presion.
Mirë se vini në korrikun e nxehtë të vitit 2025. Edhe pse klima është zgjidhje, ajo harxhon karburant, ftoh ngadalë dhe jo gjithmonë është opsioni më i shëndetshëm. Megjithatë, shkencëtarja britanike Hannah Fry ka një truk që funksionon menjëherë dhe nuk kushton asgjë.
Klima harxhon, ngroh para se të ftohë, por ky trik vepron menjëherë
Hannah Fry, shkencëtare dhe autore e njohur britanike, ka ndarë një video virale në TikTok ku tregon se si të nxirrni ajrin përvëlues nga vetura në vetëm pak sekonda, pa ndezur klimën.
Edhe pse ky trik është testuar anembanë botës, është veçanërisht i dobishëm në vende si vendi ynë, ku temperaturat lehtësisht i kalojnë 35 gradë, ndërsa klima shpesh shmanget në distanca të shkurtra për të kursyer karburantin dhe për të evituar ndryshimet e forta të temperaturës.
@fryrsquaredThat age-old dilemma of choosing between having a non-sweltering car or baffling a passerby because you look like a fool who doesn’t know how to use a door
Si funksionon triku?
Gjithçka që duhet të bëni është:
▪ Hapni dritaren e pasme në anën e kundërt nga ajo e shoferit.
▪ Hapni dhe mbyllni derën e shoferit disa herë, shpejt.
Duket e çuditshme, por ka logjikë praktike.
“Kur lëvizni shpejt derën, ajo funksionon si ventilator, duke nxjerrë ajrin e nxehtë jashtë dhe duke krijuar një zonë me presion të ulët,” shpjegon Hannah. “Në atë moment, ajri më i freskët futet nga ana tjetër, duke krijuar një rrjedhje masive – një qarkullim të shpejtë ajri që zëvendëson të nxehtin brenda veturës.“
Pas vetëm 3 deri në 5 përsëritjesh, temperatura brenda kabinës mund të ulet deri në 10 gradë, për më pak se gjysmë minute.
Kursen karburantin dhe është më e shëndetshme për trupin
Ky trik nuk është vetëm më i shpejtë se klima, por ka edhe disa përparësi të tjera:
▪ Nuk harxhon karburant – Klima mund të rrisë konsumin me rreth 10% në rrugë të hapur.
▪ Ftoh më shpejt – Klima zakonisht ftoh realisht vetëm pas disa minutash ngasje.
▪ Më pak ndryshime të menjëhershme të temperaturës – Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët dhe të moshuarit.
Logjika e mirë në shërbim të të mbijetuarit në vapë
Dr. Fry ka doktoruar në dinamikën e fluideve, shkencën që studion lëvizjen e gazeve dhe lëngjeve. Pikërisht falë kësaj ka gjetur këtë zgjidhje të thjeshtë, por gjeni. Ajo këshillon që mos ta ndizni menjëherë klimën me maksimum, por të pastroni fillimisht kabinën nga ajri i nxehtë.
Ja vlen ta provoni, apo jo?
Në ditët kur asfalti çahet nga vapa, ndërsa hijet në qytet janë luks i rrallë, truku i Hannah Fry vjen si një freski – në të dyja kuptimet. Qoftë që po shkoni në punë, në pazar apo për të marrë fëmijët nga çerdhja, ky truk ia vlen të provohet. Do t’jua bëjë 5 minutat e para të ngasjes dukshëm më të lehta. /Telegrafi/