×
  • Lajme
  • Fact Check / Verifikimi i fakteve

    Propaganda qeveritare rreth partneritetit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në

    Autor:Mentor Gjergjaj
    16 Shkurt 2024 | 20:25

    Rasti

    Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorimin e euros si e vetmja valutë për pagesë në Kosovë nga 1 shkurti 2024, nxiti thirrje nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të shtyhet zbatimi i tij, shkaku i dinarit serb. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti, janë shprehur të shqetësuara për mungesën e koordinimit të Qeverisë së Kosovës me ta dhe kanë ngrehë alarmin për ndikimin e kësaj çështjeje në raportet dhe partneritetin mes tyre. Por, qeveria e Kosovës e ka mohuar kategorikisht se kjo çështje ka ndikuar në partneritetin me SHBA-në.

    Deklaratat

    Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës” – Kryeministri Albin Kurti, në një paraqitje para gazetarëve – 14 shkurt 2024, Prizren.

    Nuk e kuptoj pse në vazhdimësi po i referoheni këtij konstatimi dhe po e prezantoni si kërcënim? Raporti mes Kosovës dhe SHBA-ve është i ndërtum në principe, jo në kërcënime” – Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, intervistë në KTV – 14 shkurt 2024, Prishtinë.

    Ne [Qeveria e Kosovës] jemi partner të përkushtuar dhe i ndajmë të gjitha informatat e nevojshme me ta [SHBA-në]. Është një vendim i BQK-së i dhjetorit të vitit të kaluar. Ka qenë i planifikuar të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ne koordinohemi, konsultohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë e mbështesin njëzëri qëllimin që do të arrihet përmes këtij vendimi, i vetmi dallim ka qenë te periudha tranzitore. Këto prishjet e raporteve janë propagandë të elementeve kryesisht nga Beogradi për një çështje që është tërësisht teknike” – Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencë për media – 14 shkurt 2024, Prishtinë.

    Klasifikimi: Propagandë qeveritare

    Një ditë pas deklarimit të ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se me Rregulloren e BQK-së Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës dezinformuan opinionin publik në vend duke pretenduar se zhvillimet e fundit nuk kanë ndikuar në marrëdhëniet dhe partneritetin e Kosovës me SHBA-të.

    Propaganda politike/qeveritare është informacioni i pasaktë ose jo i plotë që shpërndahet për të avancuar një kauzë politike. Propaganda është një formë e dezinformimit. Kjo do të thotë se është informacion kequdhëzues që shpërndahet me qëllim që të anojë të kuptuarit e njerëzve për një çështje dhe për të çuar përpara një kauzë, në këtë rast kauzën politike.

    Arsyetimi dhe faktet

    Qeveria e Kosovës, përmes shefit të saj, Kryeministrit Albin Kurti, por edhe vartësve të tij, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe Ministrit të Financave Hekuran Murati, mohuan gjatë të së mërkurës se Qeveria e Kosovës me vendimin për dinarin dhe veprimet në raport me rregulloren e re të BQK-së vuri në dyshim partneritetin me SHBA-në – e thënë kjo nga vetë një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit amerikan Joe Biden, konkretisht Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    Kurti në një paraqitje nga Prizreni, para gazetareve, me 14 shkurt 2024, tha se “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të. Shtoi se kështu e konsideron dhe bashkëpunon ai si kryeministër i Kosovës.

    Ndryshe, nga kryeministri Kurti, James O’Brien, një ditë më parë, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” e kritikoi Qeverinë e Kosovës për sjelljen e saj dhe zbatimin e vendimit për dinarin, siç tha ai, përkundër lindjes se telasheve “në 5-10 minutat e para pasi mësuam për shpalljen e vendimit”.

    Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin“, tha ai.

    Zyrtari i lartë amerikan, me 13 shkurt 2023, në intervistën dhënë për “Zëri i Amerikës” tha se ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi siç ishte ai për dinarin, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë.

    Ai [kryeministri Albin Kurti] kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha O’Brien të martën.

    I pyetur nga gazetari se a planifikon SHBA-ja të vendosë masa kufizuese ndaj Kosovës, pa i quajtur sanksione, siç ka vepruar Bashkimi Evropian vitin që lamë pas, O’Brien tha “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

    Me deklaratën e zëvendësndihmës sekretarit O’Brien, të mërkurën në një intervistë në KTV u ballafaqua zëvendëskryeministri i parë për Integrim evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë Kosovës, Besnik Bislimi, që njëherësh është i ngarkuar si kryenegociator i Qeverisë Kurti në Dialogun Kosovë-Serbi.

    Bislimi i cili i tha gazetares se “nuk e kuptoj pse në vazhdimësi po i referoheni këtij konstatimi dhe po e prezantoni si kërcënim?” shtoi se “raporti mes Kosovës dhe SHBA-ve është i ndërtum në principe, jo në kërcënime”.

    Para deklarimeve të Bislimit, gjatë ditës Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se “prishja” e raporteve të Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kryesisht “propagandë me elemente të Beogradit.

    Ne jemi partner të përkushtuar dhe i ndajmë të gjitha informatat e nevojshme me ta”, tha Murati në një konferencë për media, të mërkurën, nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

    Të gjithë partnerët ndërkombëtarë e mbështesin njëzëri qëllimin që do të arrihet përmes këtij vendimi, i vetmi dallim ka qenë te periudha tranzitore. Këto prishjet e raporteve janë propagandë të elementeve kryesisht nga Beogradi për një çështje që është tërësisht teknike”, shtoi Murati në të njëjtën paraqitje para gazetarëve.

    Deklarimet e Kurtit, Bislimit e Muratit “brengosën” të deleguarin e SHBA-ve për diplomaci në Kosovë, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

    Të enjten, Hovenier në mëngjes njoftoi mediat se në ora 15:00 të së njëjtës ditë do të paraqitet para gazetarëve, pranë objektit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

    Jam i brengosur me deklaratat pas kësaj interviste që sugjerojnë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk janë ndikuar dhe se nuk mund të ndikohen nga kjo situatë”, u tha Hovenier gazetarëve me 15 shkurt 2024.

    Më duhet të jem i qartë, kjo thjeshtë nuk është e vërtetë, ky thjeshtë nuk është i tillë si rast. Siç tha edhe zoti O’Brien kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet dy qeverive tona. Çdo interpretim tjetër paraqet një keqkuptim thelbësor, keqinterpretim të rëndësisë që ne i japim zgjidhjes së kësaj çështjeje”, shtoi ambasadori Hovenier në paraqitjen e tij para ambasadës në Dragodan.

    *“Verifikimi i fakteve” realizohet në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”. Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!