Pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e Policisë së Kosovës, muret e stacionit policor në Lipjan janë mbushur me grafite proteste, që shprehin revoltën dhe shqetësimin e qytetarëve.
“Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, “Policia i ka duart me gjak”, “Policia të vret”, dhe “Kush na mbron prej Policisë?” janë disa nga mbishkrimet që janë shkruar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në ndërtesën e policisë.
“Parëmbrëmë, disa policë e arrestuan dhunshëm dhe e vranë Agon Zejnullahun në mes të Lipjanit. Brutaliteti policor që e la pa frymë Agonin nuk ishte shpërdorim i izoluar i forcës dhe pushtetit, por një normë e cila e përshkon raportin që institucioni i policisë ka krijuar me civilët/et. Brutaliteti është qenësor në ekzistencën dhe funksionin e policisë. Ndërveprimi përmes dhunës, frikësimit, dehumanizimit, shqetësimit e tentativës për kontroll është rutinore për shumë prej nesh që ndeshemi me këtë institucion.”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas tyre ekspozimi tronditës i kësaj dhune “që la të vrarë Agon Zejnullahun përveç që pahëson natyrën e dhunshme të policisë, është edhe një moment kritik për ndërgjegjen kolektive”
“Vrasja e tij, tashmë e regjistruar edhe vizualisht në kujtesën tonë, duhet të na bëjë të lëvizim, të organizohemi dhe t’i kundërvihemi dhunës e cila asnjëherë nuk është e rastësishme dhe e izoluar. Thërrasim në mobilizim shoqëror për siguri të gjithësecilës e secilit prej nesh, dhe për të kërkuar drejtësi post-mortum për Agonin.” bëhet thirrje tutje.