Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, të mërkurën pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan sot ka pranuar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj pesë të pandehurve. Seanca dëgjimore është caktuar të mbahet nesër me datë 09.07.2025 në ora 10:30”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë.
I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.
Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.
Për rastin reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cili ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut në Lipjan i cili ndërroi jetë pas arrestimit, duke të marrë dënimin e merituar.
Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dje (e hënë) është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu, por që raporti preliminar i këtij rasti ende nuk është dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.