×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    Abdixhiku: Ata që na çuan në rezultatet më të dobëta sot premtojnë vendin e parë

    Reporteri
    30 Korrik 2026 | 18:55

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si të gabuar nismën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, duke argumentuar se rezultatet e fundit zgjedhore të partisë janë më të mira se në proceset paraprake.

    Në fjalimin e tij para delegatëve, Abdixhiku ka ngritur pikëpyetje mbi logjikën e kërkesës për ndryshim të kryetarit në një kohë kur, sipas tij, LDK-ja ka shënuar përmirësim në rezultat zgjedhor.

    “Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat të mirë?”, ka thënë Abdixhiku.

    Ai ka deklaruar se secili ka të drejtë të synojë dhe të premtojë rikthimin e LDK-së në vendin e parë, por ka kritikuar ata që, sipas tij, kanë udhëhequr partinë drejt rezultateve më të dobëta në të kaluarën.

    “Të drejtën për ta premtuar vendin e parë e ka secili: edhe ata që na vendosën në rekorde më të ulëta historike, edhe ata që na vendosën në vendin e tretë, edhe ata që gjatë zgjedhjeve vëzhgojnë e pas zgjedhjeve zgjohen”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai ka theksuar se vendimi për të ardhmen e tij i takon delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!