Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se përballja me delegatët që kanë kërkuar shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit është një moment i vështirë, jo për shkak të postit, por për shkak të marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se partia ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe se përgjegjësinë e ka mbajtur duke e parë LDK-në si një familje politike.
“Kjo shtëpi politike ka qenë familja ime. Si pjesë e saj kam mbrojtur familjen time”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se rrugëtimi i tij në krye të LDK-së nuk ka qenë i vetëm, duke përmendur edhe ata që sot kanë kërkuar mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
“Këtë rrugë nuk e kam bërë vetëm, e kam bërë bashkë me ju dhe me disa prej atyre që sot e kanë kërkuar këtë Kuvend. Sot mund të kemi dallime të thella, por ato nuk mund ta fshijnë rrugën që kemi bërë së bashku”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se pesha e këtij procesi nuk lidhet me pozitën e kryetarit, por me faktin që përballë tij janë njerëz me të cilët ka bashkëpunuar për vite me radhë.
“Kjo ditë nuk është e lehtë për mua, jo për shkak të karriges, sepse karrikja merret, mbahet dhe një ditë lihet. Por është e rëndë të qëndrosh përballë njerëzve me të cilët ke ecur gjatë dhe të kuptosh se sot nuk na ka mbledhur ajo që duam të ndërtojmë bashkërisht, por kërkesa për ta rrëzuar njërin prej nesh”, deklaroi Abdixhiku.