Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për ditën e nesërme, duke kritikuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Gjini ka thënë se zhvillimet e fundit po shihen me shqetësim nga qytetarët dhe miqtë e Kosovës, ndërsa sipas tij, me gëzim po përcillen nga kundërshtarët e vendit.
“Sonte Kosovën e shohin me dhimbje qytetarët dhe miqtë tanë! Sonte Kosovën e shohin me gëzim të gjithë armiqtë”, ka shkruar Gjini.
Ai ka akuzuar Kurtin se po e çon vendin në një drejtim të rrezikshëm.
“Albin Kurti, ti po ia qet faqen e zezë vendit tonë. Po e fut në një rrugë të rrezikshme, në drejtim shkatërrues. Ke për t’u gjykuar rëndë për këtë fatkeqësi që po gatuan”, ka shkruar Gjini.
Kreu i Aleancës ka thënë se Kosova do të vazhdojë të forcohet edhe përkundër dëmit që, sipas tij, po i shkaktohet.
“Kosova jonë ka me u forcu, e me u rrit, pa ty. Përkundër dëmit që po ia shkakton”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar edhe përkrahësit e Kurtit, duke thënë se do të mbajnë përgjegjësi për ndjekjen e tij politike.
“Ndërsa edhe ata që të ndjekin qorrazi, njëjtë do të përfundojnë”, ka përfunduar Gjini.