Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se interesimi i madh qytetar për Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë tregon peshën që LDK-ja vazhdon ta ketë në jetën politike të vendit.

Haziri, para nisjes së Kuvendit, tha se procesi i sotëm lidhet me demokracinë e brendshme të partisë dhe me mocionin e ngritur ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Ky interesim i madh qytetar konfirmon rolin dhe peshën e LDK-së në jetën politike. Pa LDK-në nuk shkaktohen procese, nuk realizohen ëndrrat e askujt”, tha Haziri.

Reklamë

Ai theksoi se, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e fundit, partia ka hyrë në një fazë të debatit të brendshëm, duke respektuar të drejtën statutare të delegatëve për të kërkuar mocion ndaj kryetarit.

“Ne kemi hyrë në kufijtë e debatit të brendshëm dhe në kufijtë e asaj që quhet demokraci e brendshme. Mocioni lidhet me kryetarin e LDK-së. Natyrisht, në normën statutare është shfrytëzuar kjo e drejtë nga kolegët tanë që kanë organizuar mocionin dhe ne e kemi respektuar”, u shpreh ai.

Haziri tha se gjatë Kuvendit do të ketë dialog dhe debat për të gjetur rrugën më të mirë për të ardhmen e LDK-së.

“Sot do të dialogojmë, do të debatojmë, të gjejmë rrugën më të mirë që LDK-ja, duke e kaluar këtë kërkesë, të kalojë te kërkesa tjetër po aq e rëndësishme që lidhet me shtetndërtimin, institucionet, funksionimin e Republikës dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi Haziri.

Ai shtoi se beteja e kryetarit të LDK-së është me delegatët e partisë.

Reklamë

“Besoj shumë që ky proces do të na çojë në një tjetër reformë. Kryetari i LDK-së e ka betejën me delegatët e LDK-së”, përfundoi Haziri./Reporteri.net/