×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Deklarata për Reporteri

    Kompania sllovene që i ka shtypur fletëvotimet: Garantojmë 100% se zgjedhjet janë të rregullta

    Reporteri
    11 Nëntor 2025 | 11:24

    Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me procesin e numërimit të votave në Mitrovicë dhe dyshimeve për parregullsi me fletëvotimet, ka reaguar kompania sllovene “Cetis”, e cila është përgjegjëse për shtypjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet lokale në Kosovë.

    Në një përgjigjje për Gazetën Online Reporteri.net, përfaqësues të kësaj kompanie kanë theksuar se situata është plotësisht nën kontroll dhe se po kujdesen për çdo detaj.

    Deklarata zyrtare me të gjitha detajet, përfaqësuesi Damijan Demir tha se do të publikohet në mesditën e së martës.

    “Mund të garantoj se gjithçka është nën kontroll dhe po kujdesemi për çdo gjë. Së shpejti do të lëshohet një komunikatë për media, ku do t’i gjeni të gjitha detajet. Por mund të garantojmë 100% se zgjedhjet janë të rregullta. Të gjitha do t’i mësoni në komunikatën për shtyp”, tha përfaqësuesi i kësaj kompanie, Damijan Demir për Reporteri.net.

    Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar mbrëmë që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

    Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të paraqesë ankesë në PZAP, rreth dyshimeve për keqpërdorim të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!