Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar të papranueshme kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme politike.
Kurti tha se çdo marrëveshje duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk mund të pranohet, sipas tij, një devijim nga vullneti i qytetarëve.
Ai ironizoi kërkesat për ndarjen e pozitave, duke thënë se nëse ambiciet politike mbizotërojnë mbi rezultatin zgjedhor, atëherë nuk ka kuptim të mbahen zgjedhje.
“Fituesi i zgjedhjeve është fitues i jashtëzakonshëm. Në këtë situatë e kemi të pamundur të bëjmë marrëveshje që e deformon rezultatin zgjedhor. Por nëse në skenën tonë gjallojnë superambiciet, atëherë s’mbajmë zgjedhje fare, edhe takohemi si liderë fisesh në oda të burrave”, ka deklaruar Kurti.