×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Institucionet e reja

    Letra e Kurtit pas refuzimit të Hamzës, PDK-së i ofron një nga tri postet e larta shtetërore

    Reporteri
    07 Gusht 2026 | 19:49

    Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar sërish letër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas qëndrimit të kësaj të fundit se do të mbetet në opozitë.

    Kurti ka thënë se nuk e kupton refuzimin për takim, duke vlerësuar se çështjet me rëndësi për institucionet e vendit duhet të diskutohen përmes komunikimit politik dhe kolegial.

    “E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, siç e kërkon kushtetutshmëria tek e cila u betuam si deputetë të rinj dje”, ka shkruar Kurti.

    Ai ka theksuar se kontributi i PDK-së në konstituimin e Kuvendit lidhet me propozimin e emrit për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e saj, ndërsa sipas tij, rol më të madh kjo parti mund të ketë në procesin e zgjedhjes së Presidentit/es së re.

    “Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit”, ka deklaruar Kurti.

    Lideri i LVV-së ka përsëritur ofertën për bashkëpunim me PDK-në, duke propozuar një marrëveshje për postet udhëheqëse në Kuvend.

    “Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të ishte në interes të PDK-së, pasi do t’i mundësonte udhëheqjen e njërës prej tri pozitave të larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!