Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur se çdo vonesë për t’i konstituuar institucionet është humbje për Kosovën.
Ai ka bërë thirrje Kurtit dhe ministrave të tij që janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje dhe e pastaj të shkojnë në Kuvend.
“Jep dorëheqje, hajde e mbajmë seancën. Propozoje kryetarin, zgjedhe, i propozojmë nënkryetarët. Hyjmë pastaj në proces kushtetues dhe e këqyrim kush e bën qeverinë”, shtoi Krasniqi.
Krasniqi tha se sot u pa që Albin Kurti i ka 52 vota dhe se kjo është fuqia e tij aktuale politike.
“Jam i bindur, prej kësaj që po e shoh sot, me 52 vota që z. Kurti nuk mund ta bëjë qeverinë. Ne jemi të gatshëm, në rast të dështimit të tij menjëherë ta marrim përgjegjësinë me partitë që kanë qenë në të kaluarën në opozitë, dhe me komunitetet pakicë të Kosovës, përveç Listës Serbe, që ta bëjmë qeverinë e re me Bedri Hamzën kryeministër”, tha ai.