×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus

    Para votimit për Abdixhikun, Ahmeti: Vendimi është në duart e delegatëve

    Reporteri
    30 Korrik 2026 | 17:57

    Kryetari i Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, ka deklaruar se vendimi për të ardhmen e partisë i takon delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm, duke theksuar se procesi duhet të jetë demokratik.

    Në një prononcim për media para nisjes së Kuvendit, Ahmeti tha se LDK-ja është angazhuar që procesi të zhvillohet në mënyrë demokratike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Është një proces demokratik. Është në dorën e delegatëve për të vendosur për të ardhmen e partisë dhe për të ardhmen e vendit. Ne do të angazhohemi, siç jemi angazhuar deri tash, që procesi të jetë demokratik”, tha Ahmeti.

    I pyetur nëse personalisht mbështet shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, Ahmeti tha se qëndrimin e tij e ka bërë të ditur më herët dhe nuk dëshiron të ndikojë në procesin e votimit.

    “Është çështje e deklarimit tim të mëhershëm. Nuk dua ta intimidoj procesin e votimit. Opinioni publik e di që kam reflektuar qysh në Kuvendin e janarit. Kam votuar për dorëheqjen nga posti i sekretarit të partisë dhe kam ofruar dorëheqjen edhe si kryetar i degës. Ta shohim sot nëse Kuvendi do ta fuqizojë idenë tonë për të reflektuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve apo do të mendojë se duhet të vazhdohet. Është çështje e vendimmarrjes së delegatëve”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, i pyetur për pretendimet lidhur me presione ndaj delegatëve, Ahmeti nuk pranoi t’i komentojë ato.

    “Nuk do të bëj komente të tilla. Faleminderit”, deklaroi ai./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!