Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, njëri nga iniciatorët e kërkesës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka pranuar rezultatin e votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Zemaj ka bërë të ditur se 170 delegatë kanë votuar kundër shkarkimit të Abdixhikut, 152 kanë votuar pro, ndërsa pesë kanë abstenuar.
“Është edhe një proces demokratik. Rezultati është ai që është: 170 delegatë votuan kundër shkarkimit të z. Abdixhiku, 5 abstenuan dhe 152 votuan për shkarkimin. Ky është një rezultat me votë të fshehtë”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka vlerësuar se procesi ka qenë i organizuar mirë dhe se vendimi i takon vullnetit të delegatëve të LDK-së.
“Gjithçka ishte në aspektin procedural mirë e organizuar. Ky është vullneti i delegatëve pjesëmarrës të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Zemaj ka komentuar edhe miratimin e një deklarate politike në Kuvend, duke thënë se për të një veprim i tillë nuk ishte i nevojshëm, pasi sipas tij obligimet e anëtarëve të LDK-së tashmë janë të përcaktuara në statut.
“Për neve ishte e panevojshme, sepse obligimet e anëtarëve të LDK-së karshi partisë janë në statut”, është shprehur ai.
I pyetur për mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, Zemaj tha se çështja do të diskutohet në grupin parlamentar të LDK-së.
“Kur të diskutojmë, do t’i japim edhe qëndrimet. Sot e kishim një pikë të rendit të ditës, e cila nuk kaloi. Ky është fati politik i LDK-së. Ne kemi menduar se ndryshimi sjell sukses, shumica ka menduar se duhet të vazhdohet me z. Abdixhiku dhe ky është rezultati”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka thënë se pajtimi me vendimin demokratik është i rëndësishëm, ndërsa ka theksuar se tani shumëçka varet nga mënyra se si kryetari Abdixhiku do të ndërtojë raportin me anëtarësinë dhe strukturat e partisë.