×
  • Lajme
  • Hulumtime

    “Eksperti” për Luginën i Komunës së Alban Hysenit shkollën e mesme e kreu në moshën 29 vjeçare

    Autor:Linda Ibrahimaj
    07 Korrik 2023 | 16:06

    Komuna e Gjilanit, ka angazhuar me kontratë mbi vepër, Enver Hazirin, një “ekspert” që rezulton se ka përfunduar shkollën e mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë në moshën 29 vjeçare. Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, kontratat mbi vepër janë lloj i kontratës për afat të caktuar në shërbimin civil dhe të njëjtat lidhen në mes të institucionit dhe një personi i cili ka një specializim të lartë për një fushë dhe rekrutohet për të dhënë ekspertizën përkatëse për një periudhë jo më gjatë se gjashtë muaj.

    Zyrtari i Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në kuadër të Komunës së Gjilanit, Enver Haziri, i cili është angazhuar në këtë pozitë nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni del se shkollën e mesme e ka kryer tek në moshën 29 vjeçare. Por, kjo nuk i ka penguar të njëjtit që të marrë një pozitë “si ekspert” në Komunën e Gjilanit.

    Hekuran Rapuca, Asistent Administrativ në zyrën e Kryetarit të Gjilanit ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se Haziri është angazhuar si e zyrtar në Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në shkurt të këtij viti, dhe sipas tij ai është jurist i diplomuar në qershor të 2019, dhe se është duke vazhduar studimet master.

    Në përgjigjen e asistentit administrativ të zyrës së Kryetarit Alban Hyseni, Komuna e Gjilanit nuk është deklaruar nëse janë në dijeni se Haziri shkollën e mesme e ka përfunduar rreth të 30-tave, sikurse nuk kanë sqaruar nëse i njëjti është pranuar në pozitë me konkurs të hapur apo me emërim.

    “Z. Enver Haziri është angazhuar në shkurt të vitit 2023, në zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si zyrtar administrativ me kontratë për shërbime të veçanta. Z. Haziri është Jurist me profesion, i cili ka diplomuar me 29 Qershor te vitit 2019 nr. rendor 154, ne Universitetin Publik “Kadri Zeka” në të cilin vazhdon studimet master, që e dëshmon vërtetimi nr 09/2023”, thuhet në përgjigjen e komunës.

    Tutje, aty thuhet se Haziri ka qenë aktivist për të drejtat e Shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës.

    “Vlen te theksohet që i njëjti ka qenë aktivist për të drejtat e Shqiptarëve të shpërngulur nga Lugina e Preshevës që nga viti 2010”, thuhet tutje në përgjigjen e komunës.

    Nga Zyra e Kryetarit të Gjilanit, javë më parë i kanë konfirmuar gazetës online Reporteri.net se Haziri që ushtron pozitën e zyrtarit në Zyrën për Preshevë dhe Bujanoc në kuadër të Komunës së Gjilanit është i angazhuar sipas kontratës mbi vepër.

    Kontrata mbi vepër është lloj i kontratës për afat të caktuar në shërbimin civil dhe të njëjtat lidhen në mes të institucionit dhe një personi i cili ka një specializim të lartë për një fushë dhe rekrutohet për të dhënë ekspertizën përkatëse për një periudhë jo më gjatë se gjashtë (6) muaj.

    Sipas Ligjit për shërbimin civil, “emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura ‘Marrëveshje për shërbime të veçanta’ të cilat i nënshtrohen Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtëzuar e rekrutimit”.

    Për shkak se për lidhjen e kontratave mbi vepër nuk respektohet konkursi publik, atëherë institucionet e kanë më të lehtë që të rekrutojnë militantë partiakë edhe pa kualifikimet e nevojshme për ndonjë pozitë, sikurse në rastin e Enver Hazirit.

    Enver Haziri rezulton se ka përfunduar shkollën e mesme në vitin 2015, ndërsa në lidhje me shkollimin fillor nuk ka informacione të sakta. I njëjti ka përfunduar edhe fakultetin juridik në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, ndërsa tashmë është duke vijuar shkollimin në nivelin Master, po në këtë universitet.

    Gazeta Online Reporteri.net pasi ka siguruar informata në lidhje me këtë, përmes kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, ka hulumtuar dhe kërkuar informacione nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe shkolla e Mesme “Sahit Baftiu” në Gjilan.

    Sipas përgjigjes së shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu”, në Gjilan, Enver Haziri në muajin Maj të vitit 2014, ka parashtruar kërkesë për vijimin e Arsimit për të Rritur, program ky që organizohet dy herë në vit brenda këtij institucioni, bazuar në konkurs publik për regjistrimin e kandidatëve.

    “Enver Haziri, ka përfunduar klasat siç vijon: Klasën e X-të, e ka përfunduar në Qershor të vitit 2014, dëftese me Nr. Protokoli: 125, Klasën e XI-të, e ka përfunduar në afatin e Janarit, të vitit 2015, dëftesë me Nr.protokoli: 177, Klasën e XII-të, e ka përfunduar në afatin e Qershorit, të vitit 2015, dëftesë me Nr.Protokoli: 192.”, thuhet në përgjigjen e tyre për gazetën online Reporteri.net.

    Sipas tyre, Haziri ka kryer provimin e maturës në shtator të vitit 2015, në moshën 29 vjeçare.

    “Kandidati, z. Enver Haziri, kreu provimin e maturës më datë: 09.09.2015, me sukses: 133 pikë, dhe u shpall i diplomuar në profilin: Tek. në Teknologji Ushqimore, diploma me Nr. Protokoli: 197 – 2095”, thuhet tutje në përgjigjen e Shkollës së Mesme të “Sahit Baftiu”.

    Sipas përgjigjes së tyre, del se “eksperti” i kabinetit të kryetarit të Gjilanit, i angazhuar në Zyrën për Preshevë e ka përfunduar shkollën e mesme në moshën 29 vjeçare, me programin e mësimit plotësues për të rritur në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë, në Gjilan.

    Gazeta online Reporteri.net ka kërkuar informacione edhe lidhur me shkollimin fillor të Enver Hazirit, edhe në shkollën fillore “Migjeni” në Muhoc, por sipas përgjigjes së drejtorit të kësaj shkolle, nuk kanë informacione të sakta pasi që ishte djegur shkolla e fshatit në Zarbincë, ku mendohet se Haziri të ketë ndjekur.

    “Unë gjatë mandatit tim nga 20.06.2016 e deri me sot, për personin në fjalë nuk kemi lëshuar asnjë shkresë. Është e vërtetë që ne i kemi paralelet e ndara fizike të ish sh.f “Skënderbeu” në Zarbicë. Nga 2005, shkolla në Zarbicë është djegur dhe nuk i disponojmë të gjitha dokumentet, vetëm 3 libra amze, edhe ato nuk janë të kompletuata!”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të kësaj shkolle Sadit Demiri.

    Ndryshe, Enver Haziri, në Gjilan ka ushtruar edhe funksione politike në PDK, si dhe në Lëvizjen Vatra. Po ashtu, ka marrë pjesë edhe në debate televizive duke u paraqitur si njohës i politikës.

    Aktualisht, me pozitën e re gjatë qeverisjes së Alban Hysenit në Gjilan, i njëjti zhvillon takime edhe në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, në cilësinë e zyrtarit të Zyrës për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për të cilat takime vet i ka konfirmuar përmes rrjeteve sociale.

    Në nëntor të vitit 2022, Haziri kishte marrë shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret të Presidentes Vjosa Osmani.

    Gazeta Online Reporteri.net ka provuar të kontaktojë me Hazirin për të marrë sqarime, por nuk ia ka arritur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!