×
  • Lajme
  • Hulumtime / Ndodh edhe kjo

    Kompania që ndërton banesa e çelë bunarë fiton tenderin për zhvarrosjen dhe zhvendosjen e varrezave në Obiliq

    Autor:Egzona Krasniqi
    24 Nëntor 2023 | 17:00
    KEK, Obiliq | Foto: REL

    Nëse mendoni se keni lexuar, dëgjuar apo parë mjaftueshëm “vaki” dhe raste të abuzimit me paranë publike, gaboheni. Hulumtimi në vijim do t’ua tregojë të kundërtën. Ka akoma.

    Një kompani ndërtimi nga Prishtina, që merret edhe me çeljen e bunarëve, ka fituar mbi 53 mijë Euro tender nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për zhvarrosjen dhe zhvendosjen e disa varrezave në fshatin Sibovc të komunës së Obiliqit, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Varrezat në lagjen “Mexhuani” të këtij fshati parashihet të zhvendosen shumë shpejtë nga aty, për shkak se ndodhen afër mihjeve të KEK-ut.

    Për këtë, Korporata Energjetike e Kosovës qysh në prill të këtij viti kishte iniciuar një tender në vlerë prej 63 mijë euro për dislokimin e 37 kufomave/varreve. Kjo me arsyetimin se vendi ku ndodhen aktualisht varrezat pengon planin tyre për mihjen e thëngjillit.

    “Zhvarrosja, transporti, arkivoli, varrosja, vendosja e gurëve me mbishkrime” – ishte emërtuar tenderi i KEK-ut i iniciuar më 17 prill 2023, e i finalizuar tek para tre ditësh – më shumë se shtatë muaj pas.

    Më 21 nëntor 2023, KEK ka njoftuar lidhjen e një kontrate 53 mijë e 265 Euro me kompaninë “Eurokod SH.P.K.” – rreth 8 mijë Euro më pak sesa ishin paraparë të harxhoheshin me thirrjen fillestare – për “zhvarrosjen, transportin, arkivolin, varrosjen dhe vendosjeve e gurëve me mbishkrime”.

    Deri këtu gjithçka do të dukej normale, në rast se nuk kërkohet pak më thellë për kompaninë “Eurokod SH.P.K.” me të cilën është lidhur kontrata.

    Një kërkim në ARBK, zbulon se kompania në fjalë nuk ka lidhje me punën e zhvarrimit dhe zhvendosjes së varrezave – për të cilën në kushte normal do të duhet të ishte ekip i specializuar.

    Madje, kompania që ka fituar tenderin për zhvendosjen e varrezave të një lagjeje të fshatit Sibovc të Obiliqit del se është kompani ndërtimore e objekteve banesore dhe jobanesore – si aktivitet primar.

    Grumbullimin, trajtimin dhe furnizimin me ujë”, që ndryshe njihet si çeljen e bunarëve e ka aktivitet sekondar të regjistruar në ARBK , kompania “Eurokod SH.P.K.” me seli në Prishtinë.

    Gjithashtu kjo kompani në regjistrimin zyrtar i ka të paraqitur edhe 13 aktivitete tjera, nga ndërtimi i autostradave e deri tek punimet në instalime elektrike e suvatimet – por askund nuk e ka të regjistruar ndonjë aktivitet për zhvendosjen e varrezave apo shërbimet funerale dhe aktivitetet tjera të lidhura me to.

    Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar të premten pronarin e kësaj kompaninë, që njëherit figuron i regjistruar edhe si drejtor i biznesit, por se i njëjti ka refuzuar të jap sqarime.

    Ai nuk ka treguar as nëse biznesi i tij ka ndonjë specializim për kryerjen e shërbimit të zhvarrosjes së kufomave dhe zhvendosjen e varrezave.

    “Nuk kam unë sqarime për ty”, ka thënë Hajredin Hajra në një bisedë të shkurtër telefonike me ekipin e gazetës online Reporteri.net.

    Në lidhje me këtë tender, sqarime deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kanë dhënë as nga Korporata Energjetike e Kosovës e cila ka lidhur kontratën në fjalë para tre ditësh.

    Në dosjen e këtij tenderi dhe procesverbalin e datës 02 maj 2023 të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net del se në tenderin për zhvendosjen e varrezave të cilin e fitojë një kompani ndërtimore, kishin ofertuar gjithsej 4 kompani të ndryshme.

    Prej tyre 3 që janë eliminuar gjatë procesit kanë pasur aktivitet kryesor shërbimet e funeraleve. Porse KEK, në fund të procesit ka lidhur kontratë mbi 53 mijë Euro me kompaninë ndërtimore, që për më tepër, sipas procesverbalit, është e dyta që ka ofertuar me çmimin më të lartë.

    Përkundër kësaj, në thirrjen për tenderim, e hapur në prill të këtij viti, KEK kishte kërkuar nga ofertuesit që të dërgojnë si dëshmi “një liste të aktiviteteve të ngjashme të Operatorit Ekonomik që specifikon punët e kryera” si dhe OE duhej të prezantonte certifikata mbi përfundimin e punëve nga punëdhënësi mbi implementimin e suksesshëm të projekteve për tri vitet e shkuara nga data e publikimit të njoftimit për kontratë me kontaktet për verifikim, me një fushëveprim të ngjashëm të punëve nga ku mund të shihet kapaciteti teknik dhe përvoja e tij. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!